
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për televizionin “RTV Dukagjini”, ka folur lidhur me vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Hagë, duke e cilësuar atë si një personalitet me vlera të larta morale dhe burrështetas të rryer, ndërsa ka theksuar se shteti shqiptar ka bërë gjithçka që mundej për të.
Duke u ndalur te periudha e luftës dhe sfidat e mëdha të vitit 1999, Thaçi ka sjellë në vëmendje prapaskenat e Konferencës së Rambujesë dhe rëndësinë e ruajtjes së aleancave ndërkombëtare. Ai ka rrëfyer se për të mos humbur mundësinë e fituar në Rambuje dhe për t’u futur nga Shqipëria në Kosovë në fillim të muajit mars 1999, i është dashur të ecë në këmbë për rreth 40 orë në një terren malor e të minuar, duke u strehuar ditën për të shmangur forcat serbe.
Ish-presidenti e ka cilësuar pranimin e marrëveshjes në Rambuje si një nga vendimet më të rënda, por edhe më krenare të jetës së tij, duke shtuar se kishte frikë nëse po nënshkruante lirinë e Kosovës apo fundin e tij. Sipas tij, Serbia e kuptoi se ajo marrëveshje po i hapte rrugën pavarësisë së vendit dhe për këtë arsye e refuzoi, ndërsa theksoi se asnjë popull nuk mund t’i arrijë të drejtat e tij i vetmuar pa mbështetjen e aleatëve.



