
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke e akuzuar atë se po e rikthen këtë temë në opinion për arsye politike.
Nga LSDM thonë se Mickoski fillimisht kishte deklaruar se qytetarët nuk dëshirojnë zgjedhje të parakohshme, ndërsa më pas kishte theksuar se, nëse opozita i kërkon ato, ai do ta pranonte sfidën dhe do të fitonte.
“Ky nuk është qëndrim, por një skenar i montuar. Vetë e shkruan ofertën dhe vetë pret porosinë”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.
Partia opozitare e ndërlidh këtë çështje edhe me zhvillimet politike në Serbi, duke pretenduar se pas paralajmërimeve të presidentit serb Aleksandar Vuçiq për zgjedhje, edhe Mickoski ka filluar të flasë për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Sipas LSDM-së, pushteti aktual ka shumicë të fuqishme parlamentare, presidenten e shtetit, Qeverinë dhe shumicën në një numër të madh komunash, prandaj, sipas tyre, Mickoskit nuk i nevojitet pëlqimi i opozitës për të shpallur zgjedhje.
“Ajo që i nevojitet është një alibi. Të mos thotë se arka po zbrazet dhe se nuk ka më hapësirë për huamarrje të reja, por të thotë se opozita e sfidoi dhe ai vetëm iu përgjigj”, theksohet në reagim.
Nga LSDM deklarojnë se nuk do t’i japin pushtetit një justifikim të tillë dhe pretendojnë se zgjedhjet do të shpallen atëherë kur, sipas tyre, Qeveria të përballet me mungesë të mjeteve financiare.
“Zgjedhjet do t’i shpallë kur të mbarojnë paratë. Ky është kalendari i tij, jo i yni”, thuhet në komunikatë.
Partia gjithashtu kritikon mënyrën se si, sipas saj, trajtohen në opinion çështjet që lidhen me ekonominë, situatën financiare, problemet me ujin në Gostivar dhe raste të tjera që kanë shkaktuar reagime publike.
LSDM akuzon pushtetin edhe për krijimin e një klime mediatike dhe politike në të cilën, sipas tyre, vëmendja e qytetarëve largohet nga problemet reale dhe zhvendoset drejt temave nacionaliste dhe ndëretnike.
“Nëse dëshiron zgjedhje, le t’i shpallë vetë, me nënshkrimin e tij, dhe pastaj të dalë para qytetarëve dhe të japë llogari për gjendjen ekonomike dhe problemet me të cilat përballen qytetarët”, thuhet më tej.
Nga LSDM deklarojnë se janë të gatshëm për zgjedhje në çdo moment, por jo, siç thonë ata, që të shërbejnë si arsyetim për vendimin e pushtetit.
“Ne jemi të gatshëm, me qytetarët, me ekip dhe me plan, kurdo që të mbahen zgjedhjet. Por nuk jemi të gatshëm të jemi justifikimi i tij. Pushtetin e mori për katër vjet, prandaj le të thotë vetë nëse dëshiron zgjedhje dhe të mos bëjë shfaqje politike”, përfundon reagimi i LSDM-së.



