
Turqia nuk do të heqë dorë kurrë nga as edhe një pikë e vetme e “Atdheut Blu”, tha të enjten Selçuk Bayraktar, kryetar i bordit të TEKNOFEST-it dhe kompanisë turke të mbrojtjes Baykar, raporton Anadolu.
“Nëse atdheu ynë në tokë është shtëpia jonë, Atdheu Blu është kopshti ku gjejmë paqe”, tha Bayraktar në ceremoninë e hapjes së “TEKNOFEST Atdheu Blu”në Komandën e Kantierit Detar Golcük, në veriperëndim të Turqisë.
“Ashtu siç nuk do të hiqnim dorë nga asnjë dhomë e shtëpisë sonë, nuk do të heqim dorë kurrë nga as edhe një pikë e vetme e Atdheut Blu, që është kopshti ynë”, shtoi ai.
Veprimtaria organizohet nën drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë dhe Fondacionit T3, ndërsa Anadolu shërben si partneri global i komunikimit.
Bayraktar vuri në dukje se sipërfaqja tokësore e Turqisë mbulon rreth 783 mijë kilometra katrorë, ndërsa zonat e saj të juridiksionit detar në kuadër të Atdheut Blu shtrihen në 462 mijë kilometra katrorë.
Ai tha se aktiviteti synon të kultivojë te të rinjtë dashurinë dhe vlerësimin për detin, si dhe të forcojë ndërgjegjësimin për të drejtat dhe interesat detare të Turqisë.
“TEKNOFEST Atdheu Blu” përfshin gara në not, lundrim dhe kanotazh, si dhe demonstrime nga komando të forcave speciale nënujore të Turqisë për sulme dhe mbrojtje nënujore.
“Një epokë e re në aviacionin detar global”
Bayraktar tha se mjeti ajror luftarak pa pilot Bayraktar TB3, i zhvilluar nga kompania turke e mbrojtjes Baykar, ka hapur një epokë të re në aviacionin detar global falë aftësisë së tij për t’u ngritur dhe ulur në anijen TCG Anadolu, e cila ka një pistë të shkurtër.
“Gjatë gjithë TEKNOFEST Atdheu Blu, AKINCI dhe Bayraktar TB3 do t’ju përshëndesin ju dhe gjirin nga qielli, duke i shpallur botës vendosmërinë tonë për pavarësi”, tha ai, duke iu referuar dy dronëve të avancuar teknologjikë të Baykar.
Bayraktar u bëri gjithashtu thirrje të rinjve të vendosin synime ambicioze, duke mbetur të lidhur me rrënjët dhe vlerat e tyre.
“Mbani mend se asnjë erë nuk i shërben një anijeje pa drejtim apo destinacion”, tha ai.
“Ndërsa niseni në detin e jetës, kini një ideal të lartë tuajin, një KIZILELMA”, shtoi ai, duke iu referuar avionit luftarak pa pilot me një motor, me aftësi të fshehtësisë dhe inteligjencës artificiale të zhvilluar nga Baykar. Emri i tij përkthehet “molla e kuqe” dhe në mitologjinë dhe historinë turke simbolizon “një ideal të madh”.
Ai i këshilloi të rinjtë të ndjekin rrugë që i shërbejnë njerëzimit dhe jo rrugë që i çojnë drejt “vorbullave pa qëllim dhe errësirës”.
“Luftoni për drejtësinë dhe pavarësinë”
Bayraktar tha se bota po përballet me një kolaps moral dhe humanitar, ndërsa drejtësia, mëshira dhe e drejta ndërkombëtare po shpërfillen.
Ai theksoi se përpjekjet e Turqisë në kuadër të Atdheut Blu shkojnë përtej zhvillimit teknologjik.
“Prandaj, lufta që po zhvillojmë në Atdheun Blu nuk është thjesht një nismë teknologjike. Kjo përpjekje është një luftë për drejtësinë dhe pavarësinë”, tha ai.
Bayraktar tha se “brezi TEKNOFEST” do të luajë një rol udhëheqës në rindërtimin e një sistemi global, institucionet e të cilit kanë dështuar t’i ofrojnë njerëzimit shpresë.
Ai gjithashtu njoftoi se pas aktivitetit në Golcuk, TEKNOFEST do të zhvendoset në juglindje të Turqisë, duke ftuar publikun të marrë pjesë në TEKNOFEST Juglindje, i cili pritet të nisë në qytetin Sanliurfa më 30 shtator.



