
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se Republikës Demokratike të Kongos i janë alokuar 70.000 doza të vaksinës Ervebo nga rezervat globale të vaksinave kundër sëmundjes së virusit Ebola, për t’u përdorur në shpërthimin aktual që po përhapet me shpejtësi, të sëmundjes së shkaktuar nga virusi Bundibugyo, transmeton Anadolu.
Qeveria javën e kaluar kërkoi lirimin e vaksinave Ervebo nga Grupi Ndërkombëtar Koordinues për Sigurimin e Vaksinave.
OBSH-ja tha se alokimi i vaksinave përfshin 20.000 doza për një provë klinike të fazës së tretë, për të kuptuar më mirë ndikimin e vaksinës ndaj virusit Bundibugyo, ndërsa 50.000 doza do të përdoren për punonjësit në vijën e parë dhe personelin shëndetësor, në përputhje me rekomandimet e Grupit Këshillimor Strategjik të Ekspertëve për Imunizimin.
Deri më tani, asnjë vaksinë apo trajtim specifik nuk është miratuar kundër virusit Bundibugyo.
Vaksina Ervebo është e licencuar dhe rekomandohet për përdorim në shpërthimet e sëmundjes së virusit Ebola, e njohur më parë si Ebola virus i tipit Zaire.
Nuk dihet nëse Ervebo mund të ofrojë mbrojtje ndaj virusit Bundibugyo te njerëzit, por OBSH-ja tha se të dhënat e hershme laboratorike dhe nga studimet te kafshët sugjerojnë se ajo mund të ofrojë njëfarë mbrojtjeje.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se sigurimi i vaksinave përbën “një shembull të rëndësishëm të solidaritetit global në veprim”.
Tedros tha se së bashku me partnerët dhe autoritetet kombëtare OBSH-ja mbetet e përkushtuar për “të mbështetur forcimin e mbikëqyrjes, zbulimin e shpejtë, angazhimin e komuniteteve dhe përpjekjet e vaksinimit për ta vënë shpërthimin nën kontroll”.
Numri i vdekjeve nga Ebola në Republikën Demokratike të Kongos ka tejkaluar bilancin e shpërthimit të viteve 2018-2020, duke e bërë atë shpërthimin më vdekjeprurës në historinë e vendit.
Sipas përditësimit më të fundit të situatës nga Ministria e Shëndetësisë, infeksionet e konfirmuara në shpërthimin aktual të Ebolës kanë arritur në 5.208 raste, përfshirë 2.476 vdekje. Shkalla e vdekshmërisë është 47,5 për qind.
Epidemia ka prekur 56 zona shëndetësore në gjashtë province, përkatësisht Haut-Uele, Ituri, Kivu e Veriut, Kivu e Jugut, Bas-Uele dhe Tshopo.
Rreth 730 pacientë ndodhen në izolim ose në spitale, ndërsa 1.115 persona janë shëruar.
Në fillim të kësaj jave, OBSH-ja tha se shpërthimi aktual i Ebolës në Kongo vazhdon të përbëjë një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar.



