
Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet gatishmërinë e shprehur nga kryeministri Hristijan Mickoski për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nëse këtë e kërkon opozita. E kërkojmë. Më në fund edhe kryeministri e ka kuptuar se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe se vendi ka nevojë për një mandat të ri politik. Qeveria e humbi legjitimitetin për të vazhduar me izolimin evropian, degradimin e marrëdhënieve ndëretnike, cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe dobësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione. Prandaj, BDI kërkon që deklarata e kryeministrit të shndërrohet menjëherë në veprim. Kërkojmë që brenda ditëve të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit. Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për vonesa, arsyetime apo kalkulime politike. Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje.



