LajmeSport

Dy episode të fikëti në pak ditë, reagon Musiala: Nuk ka rrezik shtesë për shëndetin, ja çfarë më thanë mjekët

Jamal Musiala ka reaguar pas episodit të dytë të fikëtit në pak ditë, duke qetësuar tifozët dhe duke dhënë detaje për gjendjen e tij shëndetësore

Ylli i Bayern Munichut u detyrua të largohej nga fusha edhe në ndeshjen miqësore të së martës ndaj Heidenheimit, pasi pësoi një tjetër episod të ngjashëm me atë të së shtunës.

“Gjëja më e rëndësishme në fillim: jam mirë!”, shkroi Musiala në deklaratën e tij, duke iu drejtuar tifozëve që janë shqetësuar për gjendjen e tij.

Futbollisti gjerman shpjegoi se mjekët i kanë konstatuar episode të shkurtra dhe të përkohshme të humbjes së vetëdijes, të cilat lidhen me një çrregullim neurologjik.

“E kuptoj që shumë prej jush jeni të shqetësuar. Dua t’ju qetësoj dhe t’ju shpjegoj situatën. Më janë konstatuar episode të shkurtra dhe të përkohshme të humbjes së vetëdijes, të cilat shfaqen herë pas here, por janë të trajtueshme dhe lidhen me një çrregullim neurologjik”, deklaroi Musiala.

Sipas tij, këto episode mund të shpjegojnë edhe momentet e ngjashme që kanë ndodhur së fundmi, përfshirë atë në ndeshjen ndaj Leipzigut.

Në përballjen me Leipzigun, Musiala u aktivizua pas minutës së 60-të dhe u zëvendësua në minutën e 86-të pas një episodi të lehtë të humbjes së vetëdijes. Ndërsa ndaj Heidenheimit, ai qëndroi vetëm katër minuta në fushë, nga minuta e 61-të deri në të 65-tën.

Musiala theksoi se, pavarësisht shqetësimit që mund të shkaktojnë këto episode, ai ndihet optimist dhe po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.

“E di që në pamje të parë mund të duken shqetësuese, por për mua aktualisht janë pjesë e përditshmërisë. Po marr kujdesin më të mirë të mundshëm mjekësor dhe jam shumë optimist. Bayerni dhe njerëzit e mi më të afërt janë gjithmonë pranë meje dhe më mbështesin në këtë rrugëtim”, tha 22-vjeçari.

Ai theksoi gjithashtu se, sipas vlerësimeve mjekësore, nuk ekziston një rrezik shtesë për shëndetin e tij.

“E rëndësishmja është se nuk ekziston asnjë rrezik shtesë për shëndetin tim. Në koordinim të ngushtë dhe në komunikim të vazhdueshëm me specialistët, ishte dëshira ime personale ta përballoja këtë sfidë dhe, me autorizimin e mjekëve neurologë, të vazhdoja të bëja atë që më ndihmon më shumë në rikuperimin tim: të jetoj normalisht përditshmërinë dhe të vazhdoj të bëj atë që dua më shumë, të luaj futboll”, u shpreh Musiala.

Futbollisti i Bayern Munichut shtoi se aktualisht ka ndjesi shumë të mira dhe beson se ndodhet në rrugën e duhur.

Në fund të deklaratës, Musiala falënderoi tifozët për mbështetjen dhe kërkoi mirëkuptim për faktin se nuk dëshiron të ndajë më shumë detaje rreth gjendjes së tij.

“Ajo që më ndihmon më shumë gjatë këtij procesi është të vazhdoj të kërkoj fitore dhe trofe së bashku me ekipin tim dhe me mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme”, shkroi ai.

“Shpresoj që kjo t’ju ndihmojë të më kuptoni më mirë. Në të njëjtën kohë, ju kërkoj mirëkuptim, sepse dua ta mbaj këtë çështje brenda rrethit tim më të ngushtë të njerëzve të besuar, klubit dhe specialistëve”, përfundoi Musiala.

Related Articles

Back to top button
Close
Close