
Komisioni Evropian (KE) ka thënë se pret koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota ndërmjet komunave të prekura dhe institucioneve qendrore të Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për automjete në Mitrovicë, transmeton Anadolu.
Zëdhënësja e KE-së, Anita Hipper, nëpërmjet një konference për media më 18 gusht tha se qëndrimi i Bashkimit Evropian (BE) për urën është i qartë.
Ajo tha se BE-ja kërkon që Policia të garantojë sigurinë për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Ajo që kërkojmë, gjithashtu, është që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, deklaroi Hipper.
Hippër tha se ura mbi lumën Ibër është e hapur vetëm për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve.
“Ne e kemi bërë vlerësimin tonë, janë ndërmarrë hapa në këtë drejtim dhe qëndrimi ynë mbetet se ende presim koordinim efektiv dhe konsultime kuptimplota, të cilat duhet të përmirësohen”, tha Hipper për këtë çështje.
Më 10 gusht, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi se më 10 gusht ka nisur tranzicioni gradual i pranisë së trupave të KFOR-it në urë.
Sipas KFOR-it, vendimi u mor pas përmirësimit të situatës së sigurisë në veri, ndërsa procesi tranzicional do të jetë gradual dhe në varësi të kushteve, megjithëse prania e trupave të KFOR-it do të vazhdojë në veri të Kosovës.
Ura kryesore mbi lumin Ibër e cila ndan Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe është bërë disa herë burim i tensioneve etnike.

