
Rivaliteti historik mes Neymar dhe Thiago Mendes u rindez këtë të dielë në stadiumin Sao Januario ku mesfushori i Vasco Da Gama e injoroi hapur yllin e Santosit duke refuzuar t’i shtrëngojë duart në përshëndetjen e zakonshme përpara ndeshjes.
Episodi i akullt që u kap nga telekamerat u bë menjëherë viral te tifozët vendas (që me këtë rast shpërndanë maska që figuronin Neymar në lot) dhe shkaktoi reagime në rrjetet sociale duke nisur nga emoji-t e deri te sulmet ndaj rrethit të futbollistit, me mikun Jota Amancio që solli një opinion të Ronaldinhos për personalitetin e futbollistëve.
Armiqësia mes dy brazilianëve e ka zanafillën në 2020 në Ligue 1, kur Mendes, në atë kohë në radhët e Lyonit, me ndërhyrjen e tij i shkaktoi një dëmtim të rëndë në kavilje Neymarit duke shkaktuar zemërimin e babait të futbollistit në rrjetet sociale që kritikoi me forcë tolerimin e faullave të rëndë.
Kjo armiqësi u rishfaq këtë vit, dhe kulmi ishte një përplasje fizike mes futbollistëve në tunelin që të çonte në dhomat e zhveshjes dhe me deklaratat e Neymar: ‘Ai kërkon të bëjë të fortin, gjithnjë kështu është. Me gjithë respektin, ai është një idiot’-kanë qenë fjalët e Neymar.



