BotaLajme

Franca bllokon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët

Gjykata Kushtetuese e Francës ka shpallur antikushtetues ligjin që synonte t’u ndalonte personave nën 15 vjeç qasjen në disa rrjete sociale, vetëm pak javë përpara hyrjes së planifikuar në fuqi. Ligji ishte miratuar nga parlamenti francez në korrik dhe duhej të zbatohej duke filluar nga 1 shtatori. Sipas Gjykatës, kufizimi përbënte një “cenim të papërshtatshëm, të panevojshëm dhe joproporcional” të lirisë së shprehjes.

Ligji ishte mbështetur fuqishëm nga presidenti Emmanuel Macron, i cili pas vendimit ngarkoi kryeministrin Sébastien Lecornu të hartojë një version të ri që merr parasysh problematikat e evidentuara nga Gjykata dhe ta bëjë këtë “sa më shpejt të jetë e mundur”. Një nga problemet kryesore, sipas Gjykatës, ishte formulimi tepër i gjerë i ligjit. Ndalimi mund të përfshinte edhe shërbime online për të cilat nuk ishin vërtetuar rreziqe konkrete për shëndetin dhe sigurinë e të miturve. Gjykata ngriti gjithashtu shqetësime për rolin e prindërve, të cilët nuk do të mund t’u lejonin fëmijëve akses në shërbime të caktuara edhe nëse i konsideronin të përshtatshme dhe të sigurta.

Një tjetër problem lidhej me privatësinë. Për të ndaluar qasjen e personave nën 15 vjeç, platformat do të duhej të verifikonin moshën e çdo përdoruesi, përfshirë të rriturit. Por ligji nuk përcaktonte mënyrën se si do të kryheshin kontrollet dhe as se kush do të ishte përgjegjës për mbledhjen dhe administrimin e të dhënave. Gjykata kundërshtoi edhe trajtimin njësoj të të gjithë personave nën 15 vjeç, pa marrë parasysh moshën dhe nivelin e pjekurisë. Sipas këtij modeli, një fëmijë 8-vjeçar do t’i nënshtrohej të njëjtave kufizime si një 14-vjeçar.

Plani parashikonte që nga 1 shtatori personat nën 15 vjeç të mos mund të hapnin llogari të reja, ndërsa platformat do të kishin katër muaj për të mbyllur llogaritë ekzistuese. Franca ishte vendi i parë evropian që miratoi një ligj të tillë. Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë shprehur gjithashtu synimin për masa të ngjashme, duke iu referuar modelit të Australisë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close