Punëtorët e ndërtimit zbulojnë thesarin me ar në muret e ndërtesës në Belgjikë, por kush do e gëzojë realisht?

Një zbulim i jashtëzakonshëm ka befasuar punëtorët që po kryenin punime restaurimi në një godinë në Saint-Gilles-lez-Termonde, në Flandrën Lindore të Belgjikës, ku brenda një muri u gjet një sasi e madhe ari me vlerë të përllogaritur rreth 9 milionë euro.
Zbulimi u bë të hënën, më 10 gusht, teksa punëtorët po punonin në bodrumin e ndërtesës për instalimin e tubacioneve. Gjatë punimeve ata hasën një kuti të fshehur brenda murit. Kur e hapën, u përballën me një pasuri të pazakontë: copëza ari, monedha dhe shufra ari të identifikuara me numra.
Sipas një vlerësimi fillestar të publikuar nga media belge HLN, vlera e arit mund të arrijë në rreth 9 milionë euro.
Kontraktori njoftoi menjëherë pronarin e godinës dhe më pas policinë. Kreu i policisë lokale, Patrick Face, konfirmoi gjetjen e një sasie të konsiderueshme ari.
Por tashmë nis misteri: Kujt i përket thesari dhe si përfundoi i fshehur pas murit?
Autoritetet belge po hetojnë nëse ari mund të ketë lidhje me ndonjë aktivitet kriminal të së kaluarës. Nëse kjo pistë përjashtohet, hetuesit do të përpiqen të identifikojnë pronarin ligjor ose trashëgimtarët e tij.
Ndërkohë, ari është dorëzuar te një organ kompetent në Bruksel, ku po mbahet nën masa të rrepta sigurie.

Edhe pse ndërtesa është në pronësi të organizatës sociale CAW East Flanders, për momentin nuk është e qartë nëse pronari i godinës, kompania e ndërtimit apo punëtorët që zbuluan thesarin mund të përfitojnë prej tij. Procesi për përcaktimin e pronësisë mund të zgjasë edhe disa vite./SHEKULLI



