
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për shkelje të Kushtetutës dhe zvarritje të procesit të konstituimit të Kuvendit.
Në një deklaratë para mediave në Kuvendin e Kosovës, Hamza tha se Vetëvendosje ka kaluar një kufi kushtetues duke mos respektuar afatin për konstituimin e Kuvendit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Jo një afat të vendosur nga PDK-ja, jo nga opozita, por nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, të cilën tashmë e kanë suspenduar”, tha Hamza.
Sipas tij, vendi tashmë po përballet jo vetëm me krizë politike, por edhe me krizë kushtetuese dhe institucionale, pasi Kuvendi nuk është konstituuar dhe Kosova nuk ka Qeveri me mandat të ri.
Hamza theksoi se institucionet po funksionojnë në një terren të pasigurt, duke akuzuar pushtetin për shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit.
“Shteti nuk është Albin Kurti. Shteti është Kushtetuta, janë ligjet, janë institucionet dhe kufijtë që askush nuk ka të drejtë t’i kalojë”, deklaroi ai.
Kreu i PDK-së tha se Vetëvendosje ka të drejtë të propozojë kryetarin e Kuvendit, por jo edhe ta ndalë “orën kushtetuese”. Ai kritikoi edhe ushtruesin e detyrës së kryetarit të Kuvendit, Avni Deharin, duke thënë se nuk ka mandat ta interpretojë Kushtetutën sipas interesit të partisë.
Hamza paralajmëroi se shkeljet kushtetuese nuk duhet të kthehen në precedent dhe praktikë.
“Nuk ka mandat politik mbi Kushtetutën. Nuk ka shumicë mbi Kushtetutën. Nuk ka individ mbi Kushtetutën”, u shpreh ai.
Në fund, Hamza i bëri thirrje Vetëvendosjes që të konstituojë Kuvendin dhe ta rikthejë procesin në “binarët kushtetues”. /IndeksOnline/



