
Deputetja e VLEN-it Saranda Imeri-Stafai është e ftuara e radhës në emisionin PodGo, me të cilën kemi diskutuar për Qeverinë, kohën e saj në BDI, VLEN-in, si dhe Komunën e Gostivarit, vend prej nga ajo vjen.
Deputetja tha se VLEN-i ballafaqohet me probleme të trashëguara dhe se shumë çështje nuk janë zgjidhur siç duhet nga pushtetet e kaluara. Ajo tha se është krenare për punën e saj si deputete dhe nëse ka zgjedhje do të dalë e hapur para qytetarëve.
“VLEN-i bllafaqohet me probleme të trashëguara. Kemi shumë çështje që ndryshe janë të rregulluara me ligj dhe ndryshe në praktik. Dhe me ardhjen në pushtet të OBRM-PDUKM-së ato e shfrytëzojnë këtë edhe kjo na bie në supe neve. 2020 ka qenë viti kur unë u distancova nga BDI për shkak të keqkuptimeve të brendshme. Jam njeri i hapur dhe që komunikoj me njerëzit. Deri tani jam krenare me punën time edhe në Kuvend edhe jashtë Kuvendit. Kur kemi të bëjmë me shërbimet ndaj qytetarëve, nuk bëj dallime partiake”.
“OBRM-PDUKM është e fuqishme, mirëpo kjo nuk do të thotë se ata nuk sillen me ne si partner të koalicionit. Deri tani kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm dhe shpresoj që deri në fund do ta çojmë kështu. Në kohën e BDI – OBRM-PDUKM janë sjellë ligje pa u konsultuar fare”, tha deputetja.
Për menaxhimin me Komunën e Gostvarit, ajo tha se komuna për momentin është në gjendje të rëndë dhe e zhytur në borxhe.
“Komuna e Gostivarit është në gjendje të rëndë. E zhytur në borxhe. Për punë të vogla janë lidhur kontrata trefish më të shtrenjta. Unë kohën e fundit jam duke i publikuar këto kontrata. Kemi shumë probleme”, tha deputetja Imeri-Stafai.
Sa i përket VLEN-it, ajo tha se kanë sjellë revolucion në skenën politike shqiptare, duke përmendur edhe bashkëpunimin e Izet Mexhitit me Bilall Kasamin.
“Funksionojmë në mënyrë të shkëlqyer. Nëse ka ndonjë model se si duhet të funksionojë VLEN-i, është grupi parlamentar. Kryetar Izet Mexhiti dhe kryetari Bilall Kasami kanë komunikim të shkëlqyer, i shoh shpesh duke komunikuar. Nuk duhet që çdo herë të ndjekim shembullin e të tjerëve. VLEN-i ka sjellë revolucion në skenën politike me bashkëkryetarët”, tha deputetja.
Ndërsa sa i përket asaj se ku e sheh Maqedoninë e Veriut pas disa viteve, ajo theksoi se shtetin e sheh më afër BE-së.
“Maqedonia e Veriut është shtet problematik, fillimisht kishte probleme me emrin, tani me historinë, kishën. Në vitin 2030 unë e shoh Maqedoninë e Veriut më afër BE-së. Por në vitin 2030 dua ta shoh Maqedoninë me institucione të forta, zhvillim ekonomik dhe krijim të kushteve për rininë tonë”, theksoi deputetja Saranda Imeri-Stafai.



