LajmeMaqedoni

KOSTOJA E JETESËS: Inflacioni ngadalësohet, por rreziku mbetet

Shkalla e inflacionit vazhdon të ngadalësohet dhe ra në 2.3 përqind në vit në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë në korrik. Çmimet botërore të ushqimeve u rritën përsëri në korrik, duke arritur nivelin e tyre më të lartë në tre vjet e gjysmë, me çmimet e grurit dhe misrit që u rritën për shkak të tensioneve gjeopolitike në Detin e Zi dhe valëve të nxehtit që kërcënojnë të korrat, tha të premten Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së (FAO)

Një inflacion minimal prej 0.1 për qind u mat në korrik. Shkalla e inflacionit vazhdon të ngadalësohet dhe ra në 2.3 për qind në vit në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë në korrik, por shumë produkte ushqimore ende po përjetojnë rritje më të larta çmimesh. Për shembull, mishi është 6.6 për qind më i shtrenjtë, qumështi dhe vezët janë 4.4 për qind më të shtrenjta, vaji është 6.75 për qind më i shtrenjtë dhe madje edhe uji është 3.2 për qind më i shtrenjtë, llogariti Enti Shtetëror i Statistikave.

RRITJE E KOSTOS SË JETESËS

Në korrik 2026, krahasuar me qershorin 2026, një rritje e kostos së jetesës u regjistrua në grupet e mëposhtme: Transporti me 4.4%, Rekreacioni, sporti dhe kultura me 2.6%, Strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 0.9%, Restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 0.7%, Shërbimet e arsimit me 0.3%, Pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët me 0.1%. Në korrik 2026, krahasuar me qershorin 2026, një rënie e kostos së jetesës u regjistrua në grupet: Mobilje shtëpiake, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e rregullt shtëpiake me 1,4%, Ushqime dhe pije joalkoolike me 1,1%, Veshje dhe këpucë me 0,2%, Informacion dhe komunikim dhe Kujdes shëndetësor me 0,1%.

Sipas ministrit të ekonomisë Besar Durmishi, të dhënat e fundit nga ESHS, inflacioni në korrik te vitit 2026 në bazë mujore arriti në vetëm 0.1%,janë një tjetër konfirmim se lëvizjet e çmimeve në vend po stabilizohen.Për më tepër sipas tij, inkurajues është fakti se çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u ulën me 1.1%, për muajin e dytë radhazi. Kjo është e rëndësishme sepse është ushqimi që ka ndikimin më të madh në buxhetin familjar dhe standardin e jetesës së qytetarëve. Në bazë vjetore, inflacioni arriti në 2.3% ndërsa çmimet me pakicë u rritën me 1.8%, që përfaqëson një lëvizje çmimesh dukshëm më normale krahasuar me periudhën e presioneve të forta te inflacionit global.

“Ministria e Ekonomisë dhe Punës vazhdon të monitorojë nga afër lëvizjet e çmimeve përmes të dhënave zyrtare statistikore, analizave të çmimeve të blerjes dhe shitjes dhe marzheve të fitimit bruto, si dhe përmes kontrolleve të përforcuara nga Inspektorati Shtetëror i Tregut. Aktualisht, treguesit zyrtarë nuk shfaqin nevojën për masa të reja ndërhyrjeje. Megjithatë, Qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar për të mbrojtur standardet e jetesës së qytetarëve dhe, nëse ndodhin tronditje të pajustifikuara të çmimeve, ajo do të reagojë në kohën e duhur me të gjitha mekanizmat që ka në dispozicion. Prioriteti ynë mbetet një treg i qëndrueshëm, konkurrenca e ndershme dhe mbrojtja e standardit të jetesës së qytetarëve”,shkruajti ministri i ekonomisë Besar Durmishi në rrjetet sociale.

Përkundër zvogëlimit, rreziku i inflacionit nuk ka mbaruar ende, për shkak se ka faktorë të ndryshëm që janë jashtë kontrollit të Bankës Popullore, jo vetëm në Maqedoni, por në përgjithësi, dhe kjo është kryesisht çështja e burimeve të energjisë. Lindja e Mesme ende dikton presion mbi çmimin e naftës. Dimri do të jetë sfidues sepse, sipas parashikimeve, fundi i konfliktit nuk është në horizont as në Ukrainë.

ÇMIMET E USHQIMEVE NË BOTËN NË NIVELIN MË TË LARTË NË TRE VJET E GJYSMË

Çmimet botërore të ushqimeve u rritën përsëri në korrik, duke arritur nivelin e tyre më të lartë në tre vjet e gjysmë, me çmimet e grurit dhe misrit që u rritën për shkak të tensioneve gjeopolitike në Detin e Zi dhe valëve të nxehtit që kërcënojnë të korrat, tha të premten Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së (FAO). Zinxhirët e gjatë të furnizimit vuajnë gjithashtu nga rritja e këtyre kostove për shkak të çmimit të naftës, dhe e gjithë kjo mund të grumbullohet në një moment dhe të ndikojë në inflacion.Thatësira dhe konflikti në Lindjen e Mesme nuk ndikojnë në të njëjtën mënyrë në inflacion.

FAO paralajmëron se mundësia e një ndikimi jashtëzakonisht të fortë të fenomenit klimatik ElNiño, së bashku me ndërprerjet në furnizimin me plehra dhe kostot e larta të energjisë pas konfliktit në Lindjen e Mesme, po krijojnë një sërë rreziqesh të reja për prodhimin global të ushqimit dhe tregtinë ndërkombëtare.

Çmimet botërore të ushqimeve u rritën në korrik dhe tani janë në nivelin e tyre më të lartë që nga janari i vitit 2023, pasi rritja e çmimeve për drithërat, vajrat dhe sheqerin ndikoi më shumë në indeksin e përgjithshëm sesa rënia e çmimeve për mishin dhe qumështin, tha fundjavën e kaluar Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO). Çmimet e grurit u rritën deri në 5.8 për qind për shkak të shqetësimeve të rinovuara në lidhje me ndërprerjet e flukseve të eksportit dhe infrastrukturës në Detin e Zi, si dhe valëve të të nxehtit që goditën rendimentet në vendet kryesore prodhuese. Vajrat bimorë u rritën në çmim me 2 për qind në muaj dhe vlera e indeksit arriti në 195.7 pikë, niveli më i lartë që nga qershori 2022.

Çmimet e misrit u rritën gjithashtu ndjeshëm, me 3.6 për qind krahasuar me qershorin, të ndikuara nga moti i nxehtë dhe i thatë në Brezin Amerikan të Misrit, një nga rajonet kryesore të prodhimit në botë, dhe çmimet më të larta të energjisë mes tensioneve të larta gjeopolitike.

Çmimet e elbit ranë me 1.9 për qind për shkak të pritjeve të favorshme për korrjen e këtij viti në Australi dhe rajonin e Detit të Zi. Çmimet e orizit mbetën pak a shumë në nivelet e qershorit. Rritja e çmimeve të vajit të palmës dhe sojës për shkak të kërkesës së lartë për biodizel në Indonezi dhe Shtetet e Bashkuara ka lënë në hije çmimet më të ulëta të vajit të kolzës dhe vajit të lulediellit. Indeksi i çmimit të sheqerit shënoi rritjen më të madhe, me 5.6 për qind në 95 pikë, për shkak të frikës nga temperaturat e larta në BE dhe efekteve të ElNiño në Azi, si dhe pritjeve për rritjen e përpunimit të kallam sheqerit në etanol në Brazil. Në të kundërt, indeksi i çmimeve të mishit ra për herë të parë në vitin 2026 në bazë mujore, me 2.8 për qind në 127.7 pikë.

Çmimet e mishit ranë me 2.8 për qind, hera e parë që nga fillimi i vitit, pasi çmimet më të ulëta për shpendët, mishin e derrit dhe viçin tejkaluan rritjen e çmimit të mishit të deles, të ndikuar nga furnizimi i kufizuar i eksportit nga Oqeania dhe kërkesa e qëndrueshme globale. Qumështi dhe produktet e qumështit ranë me 0.7 për qind, duke reflektuar kryesisht çmimet më të ulëta të gjalpit dhe qumështit pluhur të skremuar dhe të plotë. Megjithatë, djathi u rrit për herë të parë që nga korriku i vitit të kaluar për shkak të furnizimit më të dobët sezonal me qumësht në Bashkimin Evropian.

Në tremujorin e dytë të vitit 2026, Banka Popullore e Maqedonisë që ndër të tjerash përkujdeset edhe për stabilitetin e çmimeve me instrumentet e saja, e rriti normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, në 4.25%, në kushte inflacioni të zgjatur dhe pasigurie të lartë në mjedisin e jashtëm. Qëndrimi aktual i politikës monetare, së bashku me ndryshimet e bëra deri më sot në instrumentet e tjera monetare, synojnë të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit dhe stabilizimin e inflacionit dhe pritjeve për inflacionin. Në tremujorin e dytë, inflacioni mesatar ishte 4.6%, duke u ngadalësuar gradualisht gjatë tremujorit, duke arritur në 3.4% në qershor. Megjithatë, procesi i kthimit në mesataren historike është më i ngadaltë, mes rreziqeve të shtuara nga zhvillimet gjeopolitike, lëvizjet në çmimet e produkteve primare në bursat botërore dhe faktorët e brendshëm që ndikojnë në kërkesë. Inflacioni mesatar pritet të jetë 4% në vitin 2026 dhe 3% në vitin 2027.

Bordi Ekzekutivi Bankës Popullore të Maqedonisë në fund të korrikut vlerësoi se nevojitet më shumë kohë për të konfirmuar qëndrueshmërinë e trendit të ngadalësimit të inflacionit, veçanërisht duke pasur parasysh pasigurinë e lartë në mjedisin e jashtëm, ripërshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe efektet e mundshme të përhapjes në tregun e këmbimit valutor dhe çmimet e brendshme.Konkretisht, intensifikimi i ri i veprimeve ushtarake në Lindjen e Mesme, si dhe lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, kanë shkaktuar presione të reja të forta rritëse mbi çmimet e energjisë dhe produkteve të tjera parësore dhe ndërprerje në zinxhirët e furnizimit.

Përveç kësaj, faktorët e brendshëm që mbështesin kërkesën dhe krijojnë rreziqe për rrugën e ardhshme të inflacionit vazhdojnë të kenë ndikim. Në rrethana të tilla, u vlerësua se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm.

Mbajtja e normës bazë të interesit, së bashku me masat e marra deri më tani në politikën e rezervës së detyrueshme dhe politikën makroprudenciale apo kujdesit makro , do të kontribuojë në ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit të denarit kundrejt euros, për të kthyer gradualisht inflacionin në mesataren historike dhe për të forcuar më tej pritjet për inflacionin, dhe në përputhje me rrethanat do të ndikojë në kushtet e kreditimit në ekonomi. Në takimin e fundit, Banka Qendrore Evropiane mbajti gjithashtu normat e interesit në të njëjtin nivel, duke vlerësuar se pasiguria mbetet e lartë dhe efekti i shokut energjetik në inflacion në zonën e euros nuk ndihet ende plotësisht.

Related Articles

Back to top button
Close
Close