LajmeMaqedoni

Arrestohet 46-vjeçari për aksidentin në Shkup ku humbi jetën 19-vjeçari me motoçikletë

Një 46-vjeçar nga Haraçina është privuar nga liria në lidhje me aksidentin e trafikut që ndodhi dje në rrugën “Radishanska” në Shkup, ku humbi jetën një 19-vjeçar me motoçikletë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, aksidenti është raportuar më 7 gusht, në orën 12:12. Në të u përfshinë një automjet “Alfa Romeo” me targa italiane, i drejtuar nga S.B. (47) nga Shkupi, dhe një motoçikletë “Kawasaki” me targa të Shkupit, të drejtuar nga N.M. (19) nga fshati Pobozhje.

Nga plagët e marra, motoçiklisti 19-vjeçar ka ndërruar jetë në vendin e aksidentit. Vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ndihmës së Shpejtë, ndërsa me urdhër të prokurorit publik trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion.

Drejtuesi i automjetit “Alfa Romeo”, ndërkaq, ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në Spitalin “Shën Naum Ohridski”.

Gjatë ekspertizës në vendin e ngjarjes dhe pas sigurimit të incizimeve nga kamerat, policia ka konstatuar se në shkaktimin e aksidentit, pa kontakt fizik, ka marrë pjesë edhe një automjet tjetër, “Seat Altea” me targa të Shkupit.

Sipas MPB-së, drejtuesi i këtij automjeti është larguar nga vendi i aksidentit pa u ofruar ndihmë personave të lënduar.

“Pas ndërmarrjes së masave shtesë, rreth orës 19:40 në fshatin Haraçinë, në rrethinë të Shkupit, është gjetur automjeti dhe drejtuesi S.O. (46) nga fshati Haraçinë. Ai është privuar nga liria, është dërguar në stacion policor dhe me të është zhvilluar bisedë zyrtare”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Nga Ministria bëjnë të ditur se pas përfundimit të dokumentimit të plotë të rastit, ndaj 46-vjeçarit do të parashtrohet kallëzim përkatës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close