
Barcelona vazhdon të jetë aktive në merkato dhe ka vendosur objektiva të qartë për këtë verë, me Julián Álvarezin dhe Rodrin në krye të listës së dëshirave.
Sipas raportimit të Partidazo COPE, katalanasit mbeten plotësisht të fokusuar në transferimin e sulmuesit argjentinas nga Atlético Madrid.
Álvarez thuhet se është i vendosur të shtyjë për një transferim te Barcelona. Sulmuesi pritet t’i komunikojë Atlético Madridit dëshirën e tij për t’u bashkuar me klubin katalanas, duke kërkuar që të dy klubet të ulen në tavolinë për të negociuar një marrëveshje.
Barcelona, ndërkohë, po punon paralelisht edhe për transferimin e Rodrit nga Manchester City.
Pas nisjes së negociatave zyrtare klub me klub me kampionët e Anglisë, Barça dëshiron ta përfundojë sa më shpejt marrëveshjen për mesfushorin spanjoll.
Kështu, drejtuesit katalanas synojnë një merkato të bujshme, me Rodrin në mesfushë dhe Álvarezin në sulm, dy përforcime që do t’i jepnin skuadrës së Hansi Flickut një tjetër dimension për sezonin e ri.



