
Një nga lëvizjet më të bujshme të merkatos ruse tashmë është zyrtare: Mirlind Daku është lojtari më i ri i Spartak Moskës!
Në fotot zyrtare të prezantimit në ambientet e Spartak Moskës, Daku është shfaqur i buzëqeshur me fanellën e tij të re me numrin 19, i shoqëruar nga njeriu që bëri të mundur këtë mega-operacion: menaxheri i tij i njohur, Shkumbin Qormemeti. Ai ka negociuar një kontratë të artë për klientin e tij. Sulmuesi do të jetë i lidhur me Spartak Moskën për 3 vitet e ardhshme, ku do të përfitojë një pagë të majme prej 4.2 milionë eurosh në total, pa llogaritur bonuset e rëndësishme që lidhen me numrin e golave dhe objektivat ekiporë, mëson eksklzuvisith Top Channel.
Përpara se të bënte hapin e madh drejt Moskës, Daku e mbylli aventurën e tij me Rubin Kazanin si një hero i vërtetë. Ndeshja e tij e fundit ishte ajo kundër Akron Toljatit, ku sulmuesi shqiptar e pruri sërish fitoren (2-1) me gjeometrinë dhe golin e tij karakteristik.
Por ajo që do të mbetet gjatë në memorien e tifozëve është mënyra e lamtumirës. Klub, shokë të skuadrës dhe tifozë iu përkulën kontributit të tij. Rubin Kazan publikoi një dokumentar emocionues pothuajse 20-minutësh, që pasqyron momentet më të bukura të Dakut me fanellën e tyre — nga golat vendimtarë, fjalimi i tij rrëqethës në dhomën e zhveshjes pas ndeshjes së fundit, e deri te momenti kur lojtarët e ngritën në krahë ndërsa sulmuesi shpërtheu në lot.
Nga 1.2 milionë në 11 milionë: Një rritje meteorike
Ky transferim dëshmon rritjen e pandalshme të 28-vjeçarit. Daku u transferua te Rubin Kazani nga NK Osijek në korrik të vitit 2023 për një shifër modeste prej vetëm 1.2 milionë eurosh. Në pothuajse tre sezone me klubin nga Kazani, ai u shndërrua në makineri golash dhe lider absolut, duke e rritur vlerën e kartonit të tij pothuajse 10-fish. Tani, me mbështetjen e një klubi gjigant si Spartaku, Daku është gati për të lënë gjurmë të reja në luftën për titull kampion.



