LajmeMaqedoni

BDI-Tetovë: Qendra për kulturë në Tetovë përjashton gjuhën shqipe!

 Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë përmes një postimi ka reaguar ndaj qendrës për kulturë në Tetovë duke e akuzuar për përjashtim të gjuhës shqipe, shkruan Top24
Në një kohë kur gjuha shqipe është vënë në shënjestër nga politikat shoviniste e ksenofobe të Qeverisë dhe nga instrumentet e të ashtuquajturës “botë serbe” në Maqedoninë e Veriut, ajo po neglizhohet edhe në zemër të Tetovës – në Qendrën për Kulturë, institucion që drejtohet nga kuadro shqiptare të VLEN-it.
Një qytetar shqiptar ka kërkuar informacion në gjuhën shqipe, ndërsa përgjigjen e ka marrë vetëm në maqedonisht. Kjo nuk është një pakujdesi teknike, por shpërfillje institucionale e gjuhës shqipe dhe e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Drejtoresha e institucionit, Njomza Imeri, dhe kryetari i Bordit, Minur Asani, duhet të shpjegojnë publikisht. Përse në një institucion të Tetovës nuk respektohet gjuha shqipe, madje as atëherë kur qytetari e kërkon informacionin në shqip?
Kur një e drejtë e fituar me shumë sakrificë nuk respektohet nga vetë shqiptarët që drejtojnë institucionet, atëherë nuk kemi vetëm shkelje ligjore, por edhe abdikim moral, institucional dhe kombëtar.
Çdo dokument zyrtar i shkruar në gjuhën shqipe është testament që na kujton sa shumë kemi luftuar dhe punuar ndër dekada. Shqipja në institucione nuk është dhuratë e pushtetit, as çështje vullneti apo preference personale, është e drejtë, dinjitet dhe detyrim ligjor.
Të nderuar bashkëqytetarë,
Të drejtat nuk i humbim vetëm kur dikush përpiqet të na i abrogojë me ligj. I humbim edhe kur ne vetë, nga neglizhenca, frika apo konformizmi, pushojmë së përdoruri dhe së mbrojturi ato.
Dhe pikërisht aty fillon humbja më e rrezikshme. Kur pushteti represiv nuk ka më nevojë të ta ndalojë gjuhën, sepse ti vetë je mësuar të heshtësh në të.

Related Articles

Back to top button
Close
Close