
Min Zhae Kim prej kohësh konsiderohej një kandidat për tu larguar nga Bajerni.
Megjithatë, në ndeshjen miqësore të zhvilluar në vendlindjen e tij, Korenë e Jugut, mbrojtësi e udhëhoqi skuadrën si kapiten.
Pavarësisht kësaj, ai u zëvendësua që në pjesën e parë, ndërsa trajneri Vinsent Kompani shpjegoi arsyen pas ndeshjes.
Gjatë qëndrimit të Bajernit në Korenë e Jugut, vëmendja ishte e përqendruar te Min Zhae Kim. Mbrojtësi është një nga yjet më të mëdhenj të futbollit në vendin e tij, me 82 paraqitje për kombëtaren dhe pjesëmarrje në Kupën e Botës.
Në miqësoren e parë të turneut aziatik kundër Jeju SK, të fituar 2-1 nga Bajerni, Kompani i besoi Kimit shiritin e kapitenit. Manuel Nojer mungonte, ndërsa zëvendëskapiteni Xhoshua Kimish e nisi ndeshjen nga stoli. Në një formacion me shumë lojtarë të rinj, koreanojugori ishte një nga futbollistët më me përvojë, ndaj zgjedhja ishte krejtësisht logjike.
Megjithatë, shumë tifozë mbetën të habitur kur Kim u bë lojtari i parë i zëvendësuar, pas vetëm rreth 30 minutash lojë. “Kim është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Fakti që luajti vetëm 30 minuta lidhet me menaxhimin e ngarkesës”, shpjegoi Kompani në konferencën për shtyp pas ndeshjes. “Ai duhet të luaj 60 minuta kundër Aston Vilës të premten. Prandaj nuk mund t’i japim më shumë minuta tani dhe ta aktivizojmë në dy ndeshje brenda një jave.” Trajneri belg theksoi se ishte e rëndësishme që Kim të luante si titullar dhe kapiten në vendin e tij.
“Kjo ishte një ndeshje normale parasezonale, të cilën donim ta luanim me intensitet, por pa marrë rreziqe. Kjo është pjesë e planit tonë”, u shpreh ai.
Sipas raportimeve të mediave, Kim për një kohë të gjatë u konsiderua si një kandidat për tu shitur, pasi sezonin e kaluar kishte mbetur pas Dajot Upamekanos dhe Xhonatan Tahut në hierarkinë e mbrojtjes. Megjithatë, tani ka gjithnjë e më pak shenja se ai do të largohet nga Bajerni gjatë kësaj vere. Në fund, Kompani u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës.



