
Niveli i ujit në lumin e Danubit, i dyti më i gjati në Evropë, ka rënë aq shumë për shkak të thatësirës sa që dhjetëra luftanije gjermane të Luftës së Dytë Botërore po dalin në sipërfaqe.
Niveli rekord i ujit po ashtu i ka çuar termocentralet në prag të mbylljes dhe qeveritë në Evropën Qendrore dhe Lindore po ndërmarrin hapa për të kursyer energjinë, shkroi AP.
Në mes të lumit që ndan Serbinë me Rumaninë, pranë portit serb të Prahovës, tani është i dukshëm një trup i ndryshkur anijeje bashkë me një direk të thyer ku dikur valëvitej flamuri nazist.
Anijet u përkisnin flotës naziste gjermane kur gjermanët i kishin fundosur pas tërheqjes nga Rumania dhe forcat sovjetike depërtuan më thellë Evropës në fund të luftës.
Historianët thonë se deri në 200 anije gjermane ishin fundosur në shtator 1944 afër Prahovës në Danub. Ideja prapa fundosjes së anijeve ishte që të ngadalësohej avancimi sovjetik në Ballkan. Por Gjermania naziste u dorëzua muaj më vonë, në maj 1945.
Disa prej anijeve ishin larguar nga lumi nga autoritetet komuniste jugosllave, por shumica kanë mbetur aty për shkak të eksplozivëve që bartnin.
Aktualisht, autoritetet po përpiqen ta mbajnë trafikun nëpër Danub, që përshkron 10 vende, ndërsa niveli i ujit bie duke krijuar kushte të rrezikshme. Ekspertët e kanë lidhur nivelin e ulët me kushtet e motit nga ngrohja globale dhe faktorë të tjerë.



