
Maqedonia nën goditjen e të nxehtit ekstrem: Temperatura deri në 42 gradë, por paralajmërohen edhe reshje shiu
Maqedonia e Veriut po hyn në periudhën më kritike të verës, me temperatura që gjatë ditëve në vijim pritet të arrijnë deri në 42 gradë Celsius. Për shkak të rrezikut të lartë nga zjarret, Qeveria ka shpallur gjendje krize 30-ditore në të gjithë territorin e vendit, ndërsa autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se vala e të nxehtit mund të ketë pasoja serioze për shëndetin e qytetarëve.
Sipas parashikimeve të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, temperaturat jashtëzakonisht të larta gjatë ditës do të shoqërohen edhe me të ashtuquajturat net tropikale, gjatë të cilave temperaturat nuk do të ulen ndjeshëm as gjatë natës. Kjo do ta rrisë edhe më shumë rrezikun nga lodhja prej të nxehtit dhe komplikimet shëndetësore.
Moti sot do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira të pakta lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtime të ndryshueshme. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 12 deri në 19 gradë, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 33 deri në 42 gradë Celsius.
Në Shkup moti do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, me erë të dobët nga drejtime të ndryshueshme. Temperatura minimale do të zbresë deri në 16 gradë, ndërsa maksimalja do të arrijë deri në 39 gradë Celsius.
Gjatë ditëve në vijim do të vazhdojë periudha me mot me diell dhe shumë të nxehtë, ndërsa temperaturat ditore në disa vende do të arrijnë deri në 40 gradë Celsius. Nga e enjtja deri në fund të javës, në orët e pasdites do të ketë kushte për zhvillim lokal të vranësirave jostabile, të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme dhe afatshkurtra shiu, si dhe bubullima.



