LajmeMaqedoniSport

Jusuf Hashimi, trajneri që i dha jetë boksit tetovar dhe e ktheu Tetovën në qendër të sportit luftarak

Tetova ishte këtë fundjavë epiqendra e boksit në Maqedoninë e Veriut, duke pritur me sukses turneun ndërkombëtar të boksit, një aktivitet që mblodhi sportistë dhe klube nga disa vende të rajonit.

Në qendër të këtij organizimi ishte trajneri dhe drejtuesi i Klubit të Boksit Shkëndija, Jusuf Hashimi, i cili me përkushtimin dhe punën e tij shumëvjeçare vazhdon të jetë një nga figurat më të rëndësishme në zhvillimin e sporteve luftarake në Tetovë dhe rajon, Top24

Hashimi jo vetëm që udhëhoqi me profesionalizëm organizimin e turneut, por dëshmoi edhe një herë se pasioni, përvoja dhe përkushtimi mund ta shndërrojnë një garë sportive në një festë të vërtetë të boksit. Nën drejtimin e tij, KB Shkëndija është bërë një vatër e rëndësishme për edukimin dhe zhvillimin e gjeneratave të reja të boksierëve, duke promovuar disiplinën, respektin dhe frymën garuese.

Turneu u zhvillua në një atmosferë sportive, me duele cilësore dhe pjesëmarrje të gjerë ndërkombëtare, duke promovuar jo vetëm boksin, por edhe miqësinë mes sportistëve dhe bashkëpunimin ndërmjet klubeve.

Puna e Jusuf Hashimit ka bërë që Tetova të jetë gjithnjë e më shumë një adresë e rëndësishme për boksin në rajon. Organizimi i këtij turneu është një tjetër dëshmi se me vizion, angazhim dhe mbështetje për të rinjtë, sporti mund të zhvillohet dhe të arrijë nivele të larta.

Kontributi i tij nuk matet vetëm me medalje apo rezultate në ring, por edhe me brezat e rinj që ka frymëzuar të ndjekin rrugën e sportit. Për shumë sportdashës, Jusuf Hashimi mbetet simbol i përkushtimit dhe njeriu që vazhdon t’i japë jetë boksit dhe sporteve luftarake në Tetovë, shkruan Top24

Related Articles

Back to top button
Close
Close