
Është vjedhur qarkullimi ditor i Ndërmarrjes Publike Komunale në Saraj. Këtë e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), të cilët për Portalb.mk njoftuan se rasti është paraqitur në stacionin policor, ndërsa nga BDI-ja opozitare akuzojnë për keqmenaxhim.
“Më 04.08.2026, në Njësinë Policore Saraj, nga I.H. (41), drejtor i NPK Saraj, është raportuar se në periudhën nga ora 16:30 e datës 31.07.2026 deri në ora 06:40 të datës 04.08.2026, në zyrën e tij, e cila ndodhet në objektin e komunës, nga një autor i panjohur është hapur me forcë dera hyrëse e zyrës dhe një sirtar i tavolinës së tij të punës, me ç’rast janë vjedhur para nga qarkullimi i NPK Saraj. Po merren masa për zbardhjen e rastit”, thanë nga MPB.
Nga Prokuroria Publike thanë se e presin përfundimin e hetimit nga MPB-ja, për të vazhduar hetimet dhe procedurën e mëtutjeshme.
Për vjedhjen në NPK Saraj, kanë reaguar edhe nga Dega e BDI-së në Saraj. Nga atje thonë se vjedhja e qarkullimit ditor në Ndërmarrjen Publike, është skandal tjetër i qeverisjes lokale në Komunën e Sarajit.
“Ky rast është edhe një tjetër dëshmi se në Komunën e Sarajit ka keqmenaxhim, nuk dihet kush ha e kush pi, kush hyn e kush del, dhe ja rezultati, për herë të parë në historinë e komunës vidhet prometi ditor. Pagesat dhe parat e qytetarëve më nuk janë të sigurta ne Komunën e Sarajit, dhe nuk dihet në fund ku mbarojnë, patjetër të mirën masa dhe të ketë përgjegjësi për këtë skandal”, thonë nga BDI.
Ndryshe, sipas analizës së Portablit në muajit maj, Komuna e Sarajit pati raportuar borxh prej 2.746.252 eurosh.



