LajmeSport

Fadil Vokrri në karikaturë ndërkombëtare, flet Imri Musliu

Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës së “HiTHi” Cartoon Kosova – Ferizaj 2026, edicioni XII, në mesin emrave të njohur është edhe legjenda e futbollit Fadil Vokrri.

Imri Musliu, drejtor ekzekutiv i SH.K. HiTHi Kosova Cartoon dhe organizator i Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës Ferizaj 2026, Edicioni XII, ka treguar sa autorë janë dhe sa karikatura.

”Pas bilancit që u bë në fund të muajit korrik, nga Shoqata “HiThi” për pjesëmarrjen dhe veprat e paraqitura rezulton se janë 369 autorë, prej tyre 43 femra ose 11.8 për qind dhe 326 meshkuj ose 88.2 përqind e konkurrueseve, nga 62 vende të botës me gjithsej 1.374 karikatura, sipas tematikës së përcaktuar për këtë edicion.

Image

E para portrete dhe karikatura miqësore kushtuar një prej ikonave të shquara mbarëkombëtare të sportit, siç është ajo e futbollistit Fadil Vokrri, të cilat numërojnë 238 portrete për evidentimin e tij përmes kësaj gjinie aq të dashur për publikun siç është dhe futbolli, ose 17, 5 përqind e numrit të përgjithshëm të veprave dhe 1.136 karikatura në temë të lirë nga jeta e përditshme me problemet e saj që përballen njerëzit, ose 82,5 përqind e numrit të përgjithshëm të prurjeve, të cilat kanë për t’u selektuar nga juria, sipas kritereve artistike, duke klasifikuar më të mirat, deri në përfaqësimin e gjerë në ekspozitë në ditët e Festivalit dhe shpalljen e vlerësimin e fituesve me çmime, sipas traditës”, thotë Musliu.

Drejtori i festivalit tha se qysh në fillim grupi i punës u ballafaqua me emocione:

Image

Imri Musliu

“Grupi i punës qysh në ditët e para pas dërgesës së veprave nga autorë të ndryshëm u përball me emocione të veçanta nga këqyrja e tyre paraprake, duke përjetuar kënaqësi dhe gëzim, jo vetëm për numrin e madh të pjesëmarrësve, por dhe gjeografinë me postimet e dërgesat nga të pesë kontinentet e botës dhe prej 62 vendeve të ndryshme të saj, gjë që është një surprizë jo vetëm për artistët por edhe artdashësit e Kosovës tonë të vogël, që tashmë gjithnjë e më shumë po njihet kudo duke u bërë e famshme dhe e njohur e duke zënë vend të nderuar në hartën e botës, jo vetëm në sport, por edhe në art, siç është edhe karikatura. 

Në edicionet e mëparshme janë trajtuar tema universale, që e shqetësojnë më shumë njerëzimin sot në përgjithësi e Kosovën në veçanti, tematikë e cila është e lëvruar edhe në veprat e paraqitura në këtë edicion siç është kriza ekonomike e përbotëshme, lufta kundër terrorizmit, korrupsionit, trafikut të lëndëve narkotike si dhe problemeve sociale të familjes, shoqërisë etj. të trajtuara nga autorët në mënyrë origjinale, me forma e mjete shprehëse të pasura e të larmishme plot humor e shpoti, që padyshim do të tërheqë interesin e madh të vizitorëve në ekspozitën e këtij Festivali në edicioni e XII – të të tij, i cili do të mbahet në muajin tetor”.
Musliu  përmendur edhe Kampionatin Botëror që u mbajt së fundi në SHBA, Meksikë e Kanada.

“Pas Botërorit të Futbollit i cili këtë verë u ndoq nga miliarda njerëz në gjithë botën, si një event që e bashkoi atë pa dallim kombi, gjuhe e religjioni, me dëshirën e madhe për të jetuar në paqe e mirëkuptim, dhe futbollistët e shquar ishin protagonistë të mëdhenj për realizimin e kësaj aspirate, ne përzgjodhëm, si objekt e subjekt të trajtimit të figurës së një prej ikonave të kurorëzuara nga vetë populli ynë, të cilin e bëri krenar me kontributin e tij, duke e çuar ekipin e futbollit të Kosovës për herë të parë në prag të kualifikimit në këtë Kampionat bashkë me si luanët e vërtetë siç ishin dhe lojtarët e tjerë të skuadrës sonë përfaqësuese, si në kohën  kur Fadil Vokrri me magjinë e tij me topin e futbollit, sikundër lojtarët më të njohur në fushën e tij kudo në botë, çka do të pritet pa dyshim me mjaft interes në promovimin e tij në këtë Festival të madh.

Topi si armë lufte i ndan popujt, duke i futur në armiqësi e konflikte me njëri – tjetrin, kurse topi i futbollit edhe pse më i lehtë, është më i fuqishëm dhe i bashkon ata. Topat e artilerisë së ushtrive thyejnë kufij për të skllavëruar vende e popuj, kurse topi me të cilin bëri emër Fadil Vokrri si futbollist i shquar, shembi barriera që na ndajnë dhe ofroi qytetërimin e një populli liridashës siç janë shqiptarët, që kërkojnë miqësi e paqe me të gjithë popujt në rajon e kudo në botë, duke mbetur si i tillë një legjendë, të cilin autorë nga vende të ndryshme të botës e paraqesin në krijimtarinë e tyre, si një hero të eposit të kreshnikëve.

Edhe tema e lirë, ka nxitur autorët pjesëmarrës për t’u paraqitur me karikatura të nivelit të lartë e cilësor, çka na gëzon e na vë para një përgjegjësie të madhe për të zgjedhur në mesin e 1.400 karikaturave njëqind e njëzet prej tyre, të cilat do të paraqiten në ekspozitën tradicionale të Festivali si finalja e tij, duke iu nënshtruar edhe gjykimit të publikut e jurisë për vlerësimin me çmime të fitueseve të këtij edicioni”, ka nënvizuar Musliu.

Kur do të mbahet ekspozita?

“Ekspozita e cila do të hapet në Galerinë e Arteve në Ferizaj, në gjysmën e parë të muajit tetor 2026, nuk është një ekspozitë që e përcjell veprimtaria, por do të shërbejë si një institucion i vërtetë artistik e shkollë për artistët pjesëmarrës, talentet e reja, lidhur me probleme të mjeshtërisë së këtij arti vizional konkret e të gjallë, i cili përmes humorit e qëndrimit kritik që mban ndaj së keqes dhe dukurive e fenomeneve negative, në jetën ekonomike, politike e sociale, ka zgjuar interesim të madh e tërhequr vëmendjen e të gjitha moshave, duke u bërë gjithnjë e më i dashur për artdashësit, gjë që na jep krah të vazhdojmë edhe më tej me organizimin e festivalit të karikaturës e ngritjen e nivelit të tij cilësor, për tu përfaqësuar denjësisht brenda e jashtë vendit, edhe pse vështirësitë, sidomos ato financiare nuk janë të pakta, duke u përballur me sfida që nganjëherë me vështirësi përballohen:, ka përfunduar Musliu.

Related Articles

Back to top button
Close
Close