
Mijëra tifozë dhe figura të mëdha të futbollit kanë mbushur bazilikën në ceremoninë mortore të Franco Baresit, një prej ikonave më të mëdha të historisë së Milanit.
Kur në ceremoni mbërritën Paolo Maldini dhe Marco van Basten, turma i priti me duartrokitje të gjata dhe emocione të forta.
Ish-kapiteni kuqezi dhe legjenda holandeze u shfaqën të shoqëruar nga ish-sulmuesi i Milanit, Pietro Paolo Virdis.
Tifozët e pranishëm në nderim të Baresit kanë thirrur me emocion: “Ka vetëm një kapiten”, duke i dhënë një tjetër dëshmi respekti një futbollisti që për dekada simbolizoi besnikërinë dhe përkushtimin ndaj fanellës kuqezi.
Në ceremoni morën pjesë edhe shumë ish-yje të Milanit, mes tyre Roberto Donadoni, Daniele Massaro dhe Aldo Serena, ndërsa klubi u përfaqësua nga drejtues të lartë.
Massaro u shfaq i përlotur dhe mbante me vete shiritin e kapitenit të firmosur nga Baresi, një simbol i veçantë i lidhjes mes dy legjendave të Milanit.
Edhe ish-kapiteni i Interit, Giuseppe Bergomi, ishte i pranishëm së bashku me presidentin e Interit, Beppe Marotta. Bergomi e përshkroi Baresin si një figurë të jashtëzakonshme të futbollit.
“Baresi është një vlerë universale, një shembull për t’u ndjekur për ndjenjën e përkatësisë që sot nuk ekziston më”, u shpreh ai.
Ish-futbollisti i Milanit, Demetrio Albertini, kujtoi momente të veçanta me kapitenin legjendar, duke përmendur veçanërisht përqafimin e Baresit pas golit të tij në gjysmëfinalen ndaj Monacos.



