
Fisnik Asllani është shumë pranë një transferimi të madh në Bundesligë, me RB Leipzig që po finalizon marrëveshjen për sulmuesin shqiptar në një operacion me vlerë rreth 30 milionë euro.
Sipas raportimeve, Leipzig është në avantazh të plotë dhe pritet ta mbyllë së shpejti transferimin, ndërsa Asllani ka pranuar ofertën e klubit gjerman dhe pritet të firmosë një kontratë katërvjeçare.
Interes për sulmuesin kishte shfaqur edhe Barcelona. Emri i Asllanit ishte vlerësuar nga trajneri Hansi Flick dhe ishte diskutuar në ambientet e klubit katalanas, teksa drejtuesit po shqyrtonin alternativa për repartin ofensiv gjatë përpjekjeve për të transferuar Julián Álvarez.
Megjithatë, Barcelona nuk pritet të vazhdojë më garën, pasi RB Leipzig ka avancuar ndjeshëm në negociata dhe është shumë pranë arritjes së marrëveshjes përfundimtare.
Nëse transferimi zyrtarizohet, Asllani do të hedhë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, duke iu bashkuar një prej klubeve më ambicioze të futbollit gjerman dhe duke lënë pas interesin e një prej gjigantëve të futbollit evropian si Barcelona.



