
Pas publikimit të lajmit se është shpallur “non grata” nga autoritetet shqiptare, luftëtari i tri luftërave shqiptare ka reaguar me një deklaratë të gjatë publike, duke e cilësuar vendimin si politik dhe të padrejtë.
Në reagimin e tij, ai falënderon miqtë dhe mbështetësit për solidaritetin e treguar, ndërsa thekson se një vendim administrativ nuk mund të zhbëjë historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari.
“Një vendim administrativ nuk mund ta shpallë ‘non grata’ historinë, sakrificën dhe kontributin e një shqiptari. Nëse një luftëtar i tri luftërave kombëtare shqiptare shpallet i padëshiruar në shtetin shqiptar, atëherë pyetja nuk është vetëm se kush u shpall ‘non grata’, por çfarë mesazhi po i jepet kujtesës sonë kombëtare”, shprehet ai.
Më tej, ai vlerëson se shqiptarët nuk janë ndarë kurrë në “brenda” dhe “jashtë” kufijve shtetërorë kur bëhet fjalë për idealet kombëtare dhe se sakrifica për lirinë nuk mund të gjykohet me vendime administrative, sidomos kur, sipas tij, mungon transparenca dhe një shpjegim i qartë publik.
Në deklaratë, ai kritikon edhe Qeverinë shqiptare, duke theksuar se asnjë qeveri nuk është mbi kombin dhe se mandatet politike janë të përkohshme, ndërsa historia mbetet. Sipas tij, vendimmarrësit do të gjykohen nga brezat e ardhshëm për mënyrën se si kanë mbrojtur interesin kombëtar.
Reagimi përmban edhe akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit të Shqipërisë, duke e akuzuar për qasjen ndaj Kosovës dhe për marrëdhëniet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai pretendon se është vendosur në listën e personave të padëshiruar në të njëjtën kohë nga Shqipëria dhe Serbia, duke e cilësuar këtë si një rast “sinkronizimi” mes dy vendeve.
Deklarata ka ngjallur reagime në rrjetet sociale, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një sqarim zyrtar nga autoritetet shqiptare lidhur me arsyet e shpalljes së tij “non grata”



