
Luftëtari brazilian i arteve marciale mikse (MMA), Allan Nascimento, ka ndërruar jetë në moshën 34-vjeçare, ka konfirmuar organizata UFC.
Sipas njoftimit zyrtar të UFC-së, Nascimento u gjet pa shenja jete të hënën në mëngjes, pasi dyshohet se pësoi një atak në zemër gjatë gjumit.
“Pavarësisht përpjekjeve të ekipit mjekësor që mbërriti në vendngjarje, ai u shpall i vdekur aty”, thuhej në deklaratën e UFC-së.
Organizata amerikane shprehu ngushëllimet për familjen, miqtë, bashkëlojtarët dhe të gjithë njerëzit e afërt të sportistit brazilian.
Nascimento ishte pjesë e UFC-së që prej vitit 2021 dhe garonte në kategorinë flyweight.
Ndeshjen e fundit ai e zhvilloi në qershor, ku humbi me vendim të ndarë ndaj Mitch Raposo. Në total, braziliani mbylli karrierën me një rekord prej 22 fitoresh dhe 7 humbjesh në MMA, ndërsa në UFC regjistroi 4 fitore dhe 2 humbje.
Ai ishte pjesë e ekipit të njohur brazilian Chute Boxe, nën drejtimin e trajnerit Diego Lima, dhe kishte stërvitur krah për krah me disa nga emrat më të njohur të MMA-së, përfshirë ish-kampionin e UFC-së, Charles Oliveira, si dhe luftëtarin Elves Brener.
Charles Oliveira i bëri një dedikim prekës mikut të tij në rrjetet sociale.
“Sot humba një vëlla që loja e luftës ma dha. Faleminderit që ishe gjithmonë pranë meje, që ndamë tapetet dhe qoshen. Nuk kam asgjë tjetër veç mirënjohjes që të pata pranë në stërvitje, në ndeshje dhe në jetën e përditshme. Të dua, vëlla. Je një legjendë”, shkroi Oliveira.
Edhe Elves Brener reagoi për ndarjen nga jeta të Nascimento.
“Faleminderit për këtë rrugëtim të mrekullueshëm, vëlla. Ishe gjithmonë një person i jashtëzakonshëm dhe sot është një ditë jashtëzakonisht e trishtuar për të gjithë ne te Chute Boxe. Do të të mbaj gjithmonë në zemër, kampion”, shkroi ai.
Ekipi Chute Boxe e përshkroi Nascimenton si një “luftëtar, mik, garues të përkushtuar dhe një njeri të jashtëzakonshëm”.
“Allan frymëzoi brenda dhe jashtë kafazit me vendosmërinë, përulësinë, respektin dhe shpirtin e tij luftarak. Prania jote do të na mungojë pa masë. Pusho në paqe Allan, emri yt, historia jote dhe trashëgimia jote do të jetojnë përgjithmonë”, thuhej në mesazhin e ekipit.



