LajmeMaqedoni

Bisedime “nën radar” për rrugën drejt BE-së!

Mucunski thotë se është pa dyshim i nevojshëm një konsensus politik për këtë çështje, duke kritikuar opozitën për, siç shprehet ai, gabimet e së kaluarës dhe mungesën e kapacitetit për t’i parashikuar pasojat e vendimeve të marra në vitet 2021 dhe 2022

Xhenur ISENI

Shkup,  3 gusht – Integrimi evropian është rikthyer në qendër të përplasjes politike mes pushtetit dhe opozitës, pasi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, konfirmoi se po zhvillohen bisedime “nën radar” për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për zhbllokimin e rrugës së vendit drejt Bashkimit Evropian. Deklarata e tij nxiti reagim të menjëhershëm nga LSDM, e cila akuzon Qeverinë për mungesë transparence dhe fshehje të proceseve që lidhen me të ardhmen evropiane të shtetit.

Në një intervistë për MIA-n, Mucunski deklaroi se Qeveria po punon për një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme, por theksoi se detajet nuk mund të bëhen publike, pasi kjo, sipas tij, do t’i rrezikonte bisedimet. “Dallimi mes kësaj Qeverie dhe qeverive të mëparshme është se ne nuk jemi të gatshëm të bëjmë lëshime për çështje që lidhen me identitetin, historinë, gjuhën dhe kulturën. Po punojmë për një zgjidhje, por jo me çdo kusht dhe jo për një zgjidhje që nuk do të ishte e qëndrueshme”, deklaroi Mucunski. Ai theksoi se ekzekutivi ka vija të kuqe të përcaktuara qartë dhe se mandati i tij bazohet në mbrojtjen e interesave shtetërore dhe qëndrimeve të qytetarëve.

Ministri vlerësoi se vendit i nevojitet një konsensus politik për çështjet që lidhen me integrimin evropian, por kritikoi opozitën për, siç tha ai, vendimet e marra në vitet 2021 dhe 2022, të cilat sipas tij e vendosën shtetin në pozitën aktuale. Ai rikujtoi se në vitin 2021 ishte miratuar një rezolutë parlamentare për mbrojtjen e interesave shtetërore në raport me identitetin, historinë dhe gjuhën, duke akuzuar qeverinë e atëhershme të LSDM-së dhe BDI-së se e kishte shkelur atë konsensus vetëm pak muaj më vonë. Sipas Mucunskit, në aspektin e reformave të brendshme vendi po përparon dhe kjo, siç tha ai, do të reflektohet edhe në raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, ndërsa sfida kryesore vazhdon të mbetet kontesti me Bullgarinë, të cilin e cilësoi si “artificialisht të krijuar”.

Menjëherë pas intervistës reagoi LSDM, duke e cilësuar të papranueshme deklaratën e ministrit për zhvillimin e bisedimeve “nën radar”. “Nuk ekziston asnjë shtet në botë ku ministri i Punëve të Jashtme të deklarojë publikisht se zhvillon bisedime të fshehta për fatin e shtetit. Si mund të jetë e ardhmja e Maqedonisë sekret për qytetarët e saj?”, thuhet në reagimin e partisë opozitare.

LSDM kundërshton edhe pretendimin e Mucunskit se Qeveria aktuale nuk bën lëshime në çështjet identitare, duke rikujtuar deklaratat e mëhershme të drejtuesve shtetërorë për Marrëveshjen e Prespës dhe anëtarësimin në NATO. Sipas opozitës, vetë kryeministri Hristijan Mickoski e kishte cilësuar Marrëveshjen e Prespës si “kryevepër të diplomacisë”, ndërsa presidentja Gordana Siljanovska-Davkova kishte deklaruar se identiteti, gjuha dhe kultura maqedonase janë plotësisht të mbrojtura. LSDM thekson gjithashtu se Mucunski kishte vlerësuar anëtarësimin në NATO si një arritje të rëndësishme edhe për tërheqjen e investimeve të huaja.

Në reagimin e saj, LSDM mbron edhe qasjen e qeverisë së kaluar, duke theksuar se proceset kyçe të politikës së jashtme janë zhvilluar në mënyrë transparente. “Ish-qeveria e LSDM-së, përveç sukseseve diplomatike si anëtarësimi në NATO dhe hapja e negociatave me Bashkimin Evropian, punoi në mënyrë transparente dhe nuk i zhvilloi proceset pas dyerve të mbyllura dhe larg syve të opinionit”, thuhet në reagimin e partisë.

Ndërkaq, gjatë javës së kaluar kryeministri Hristijan Mickoski ishte i prerë ku tha se ndryshimet kushtetuese në formën që kërkohen aktualisht nuk do të realizohen. Ai tha se është i gatshëm të zhvillojë bisedime me këdo dhe kudo, me qëllim që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme që do ta çojë vendin drejt qëllimit përfundimtar, anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Sipas Mickoskit, ndërkohë Qeveria do të vazhdojë të zbatojë agjendën reformuese dhe të punojë për përmirësimin e standardit të jetesës dhe kushteve për qytetarët.

Duke komentuar kërkesat e Bashkimit Evropian, kryeministri theksoi se procesi duhet të zhvillohet mbi parime të qarta dhe pa standarde të dyfishta. Ai shtoi se, ashtu si Maqedonia e Veriut ka marrë përsipër detyrime ndaj Brukselit, edhe Bullgaria ka detyrime për respektimin e të drejtave të njeriut. “Na kërkohet që ne, me arsyetimin se jemi jashtë BE-së dhe duam të bëhemi pjesë e saj, të pranojmë atë që është dakorduar. Por nga ana tjetër, edhe Bullgaria ka marrë përsipër detyrime, veçanërisht për respektimin e të drejtave të njeriut. Ekzistojnë disa vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg lidhur me komunitetin maqedonas në Bullgari, për të drejtën e organizimit dhe regjistrimit të shoqatave, dhe këto duhet të respektohen”, deklaroi Mickoski.

Related Articles

Back to top button
Close
Close