
Një shtëpi në Zveçan, të cilën familja Berisha po e rinovonte me qëllim të rikthimit në pronën e tyre pas 28 vitesh, është sulmuar dhe një pjesë e saj është dëmtuar nga zjarri.
Në emisionin “Ora Shtatë”, gazetari korrespodent i Klan Kosova, Urall Boshnjaku, tha se rikthimi i tyre duket se nuk i pëlqej dikujt, transmeton Klankosova.tv.
“Natën e së dielës, kur ata [familja Berisha] nuk ndodheshin në shtëpi, dikush vendosi t’ia vë flakën shtëpisë së tyre, dhe duket se edhe pati sukses, meqë një nga dhomat e shtëpisë dykatëshe u shkatërrua plotësisht, dëme të konsiderueshme u shkaktuan edhe në pullazin e shtëpisë, e po ashtu u dëmtua gjithçka tjetër që familjarët kishin filluar ta rinovonin”, tha Boshnjaku në Klan Kosova.
Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti është hapur si “Zjarrvënie”, ndërsa njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes. Shefi i Planifikimit dhe Operativës Rajonale, Erduan Baliqi, ka bërë të ditur se për momentin nuk ka të dyshuar dhe hetimet janë duke vazhduar.



