
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë përmes një deklarate për media ka drejtuar akuza të ashpëra ndaj Kryeministrit Hristijan Mickoski dhe qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE, duke kritikuar gjendjen me turmat dhe pritjet e gjata në pikat kufitare të vendit.
Sipas opozitës, derisa Hristijan Mickoski shkon në ekskursionet e tij me avionin shtetëror, të cilin tashmë po e sheh si privat, qytetarët presin me orë të tëra në kufi për shkak të politikës së tij të izolimit të shtetit. Si shembull konkret ata veçojnë pikën kufitare pranë Dojranit të Vjetër, ku kolona e automjeteve është shtrirë deri te lokacioni i njohur si Shën Ilia.
LSDM vlerëson se kjo është realiteti i politikës që po zbaton pushteti aktual, ndërsa shton se gjysma e kabinetit qeveritar dhe familjet e tyre zotërojnë pasaporta bullgare e evropiane, si dhe biznese në Bullgari. Nga partia opozitare përfundojnë se drejtuesit e pushtetit kanë siguruar kalime të veçanta dhe lehtësira evropiane për veten e tyre, ndërsa qytetarëve u kanë lënë bllokadën, izolimin dhe pritjet me orë të tëra nën diell.



