LajmeMaqedoni

“Qyteti i sigurt” përfshin qytete tjera, Miftari: Nevojitet infrastrukturë më e mirë

Krahas zgjerimit të sistemit “Qyteti i Sigurt” në qytetet tjera, duhet të punohet edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe edukimin e pjesëmarrësve në trafik, vlerëson inxhinieri i Komunikacionit, Refik Miftari. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet një rritje e qëndrueshme e sigurisë rrugore.
“Zgjerimi i këtij sistemi edhe në qytetet tjera të vendit është i arsyeshëm dhe i nevojshëm pasi ndihmon në rritjen e sigurisë rrugore që ky sistem të shoqërohet edhe me masa tjera, si përmirësimi i infrastrukturës, edukimi i pjesëmarrësve në trafik dhe menaxhim më i mirë i transportit publik. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet në një efekt të qëndrueshëm në rritjen e sigurisë rrugore.”, – deklaroi inxhinieri i Komunikacionit, Refik Miftari.
MPB synon më shumë kontroll në trafik
Së fundmi kamerat e sigurisë janë vënë në funksion edhe në segmentin e autostradës mes fshatrave Gorenci dhe Trebenishtë, në komunën e Debërcës. Kamerat do të vihen në funksion edhe në rrugët e Ohrit, që sipas MPB-së, do të forcojë kontrollin e trafikut, do të zbulojë shkeljet e komunikacionit dhe do të rrisë sigurinë në rrugë.
“Njëkohësisht, pritet që zbatimi i tij të kontribuojë edhe në uljen e numrit të aksidenteve në komunikacion. U bëjmë thirrje të gjithë drejtuesve të automjeteve që t’i respektojnë me përpikëri rregullat dhe dispozitat e trafikut, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojmë për rrugë më të sigurta në mbarë vendin.”, – thanë nga MPB.
MPB-ja gjithashtu ka paralajmëruar për rritje të sulmeve “phishing” përmes SMS-ve dhe kanaleve të tjera elektronike, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos hapin linqe të dyshimta dhe të mos ndajnë të dhëna personale. Sektori për Krim Kibernetik po vazhdon hetimet për zbulimin dhe ndëshkimin e autorëve të këtyre mashtrimeve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close