LajmeMaqedoni

Kyçje ilegale edhe në ndriçimin publik

Çdo ditë po punojmë me përkushtim maksimal që komuna jonë të ndryshojë dhe të përmirësohet. Kemi kënaqësinë që nga shumë qytetarë marrim vlerësime për punën tonë të përditshme, por njëkohësisht hasim edhe në pengesa.

Krahas shumë problemeve me të cilët përballen pushtetet lokale, problem në vete është edhe ndriçimi publik. Ndonëse pjesa më e madhe e vendbanimeve kanë ndriçim publik, megjithatë problemet me menaxhimin ende sfidojnë komunat. Së fundmi, reagimi për kyçje ilegale ka ardhur nga kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, sipas të cilit janë detektuar shumë kyçje private në terren. Sipas Memishit, kyçjet për qëllime privat në sistemin e ndriçimit publik janë të paligjshme dhe do të shkyçen dhe nuk do të tolerohen. Kreu i Tearcës paralajmëroi edhe inspektime më të shpeshta për të evidentuar këto lloj abuzimesh.

“Ndriçimi publik është i dedikuar për ndriçimin e hapësirave publike dhe në asnjë rast të pronave private. Së bashku me ekipet e ndriçimit publik dhe inspektoratin jemi vazhdimisht në terren, ndërsa të gjitha kyçjet ilegale do të ndërpriten. U bëjmë thirrjen e fundit të gjithë qytetarëve të mos keqpërdorin të mirën publike. Pas këtij apeli, ndaj çdo shkelësi do të veprohet në përputhje me ligjin”, thotë kryetari Memishi.

Ai më tej është shprehur se këto pengesa marrin shumë energji për administratën komunale e cila është e fokusuar edhe në punë tjera. “Çdo ditë po punojmë me përkushtim maksimal që komuna jonë të ndryshojë dhe të përmirësohet. Kemi kënaqësinë që nga shumë qytetarë marrim vlerësime për punën tonë të përditshme, por njëkohësisht hasim edhe në pengesa. Një komunë e zhvilluar dhe e përbashkët ndërtohet vetëm kur secili prej nesh kontribuon në ruajtjen dhe respektimin e së mirës publike”, thotë Memishi. Përveç problemit me kyçjet ilegale problem në vete është se në disa vendbanime poçet janë dëmtuar edhe nga qytetarë të pandërgjegjshëm dhe më pas riparimi i të njëjtave zgjat shumë kohë. Këto dëmtime përveçse marrin kohë po ashtu edhe kanë kosto financiare për komunat.

Ndryshe, në vitin 2024 Komuna e Tearcës në bashkëpunim me Qendrën për Zhvillim të Rajonit Planor të Pollogut, në kuadër të projektit ‘Smart Led Lighting Project’ bëri zëvendësimin e 900 poçeve elektrike me poçe Smart Led. Problemet me ndriçimin publik, komunat i kishin në fillim të vitit 2023 kur u rrit dukshëm çmimi i rrymës elektrike, qeveria u rekomandoi komunave por edhe institucioneve tjera që të kursejnë energjinë elektrike.

Kjo, pasi që fatura mujore për ndriçimin publik ishte më e lartë se inkasimi i mjeteve nga taksa. Në Tetovë që nga viti 2023, një kompani private menaxhon ndriçimin publik e cila kishte obligim për të zëvendësuar mbi 8 mijë llamba me drita të reja smart-LED. Por, edhe në Tetovë, shpesh herë ndriçimi publik ka probleme sidomos në lagjet periferike. Në këtë komunë qytetarët mund të denoncojnë problemet edhe në mënyrë online nëse hasin probleme me ndriçimin publik.

Related Articles

Back to top button
Close
Close