BotaLajme

Ruajtja e demokracisë kërkon taksimin e pasurisë ekstreme

Ndër zgjidhjet e propozuara, autori përmend modele që synojnë taksimin direkt të pasurisë ose reformimin e mënyrës se si tatohen fitimet nga kapitali dhe trashëgimitë. Ai sjell si shembull edhe propozimin e senatorit Bernie Sanders për një taksë vjetore 5% mbi pasurinë e miliarderëve, e cila, sipas tij, mund të gjenerojë më shumë se 4 trilionë dollarë në dhjetë vjet

Në një analizë të publikuar në Project Syndicate, ekonomisti Michael Madowitz argumenton se përqendrimi ekstrem i pasurisë në duart e një numri të vogël individësh po përbën një kërcënim për demokracinë amerikane dhe se një taksë mbi pasurinë e madhe është një nga mënyrat për ta frenuar këtë fenomen.

Madowitz e nis analizën e tij duke iu referuar Elon Musk, i cili, pas daljes në bursë të SpaceX, u bë përkohësisht personi i parë në botë me një pasuri prej një trilion dollarësh. Sipas tij, pasuria e Musk është rritur ndjeshëm që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ndërsa ndikimi politik i individëve ultra të pasur është zgjeruar paralelisht me fuqinë e tyre ekonomike. Sipas autorit, 400 amerikanët më të pasur zotërojnë sot pasuri të barabartë me rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të SHBA-ve, një rritje e madhe krahasuar me vitin 1982, kur kjo shifër ishte rreth 2%. Madowitz argumenton se sistemi aktual fiskal amerikan favorizon akumulimin e pasurisë, pasi tatohen më shumë të ardhurat nga puna se sa rritja e vlerës së pasurive si aksionet, pronat dhe trashëgimitë. Sipas tij, miliarderët shpesh shmangin taksimin e lartë duke marrë kredi kundrejt pasurive të tyre në vend që të marrin paga të mëdha.

Ai përmend strategjinë e njohur si “buy, borrow, die”, ku individët shumë të pasur blejnë asete, marrin hua duke i përdorur si garanci dhe ua kalojnë trashëgimtarëve pasurinë me avantazhe fiskale. Sipas analizës, në vitet 1950 familjet më të pasura amerikane paguanin norma efektive taksimi shumë më të larta, ndërsa në vitin 2020, 400 amerikanët më të pasur kishin një normë mesatare efektive taksimi prej 23.8%, më të ulët se mesatarja kombëtare.

Madowitz lidh përqendrimin e pasurisë edhe me ndikimin politik, duke argumentuar se vendimet e Gjykatës së Lartë të SHBA-ve që lejuan shpenzime të pakufizuara në fushatat politike kanë rritur ndikimin e donatorëve miliarderë në proceset zgjedhore. Ai thekson se kërkesat për “taksimin e të pasurve” nuk janë më vetëm slogane politike, por janë mbështetur nga një numër i madh studimesh ekonomike dhe propozimesh konkrete. Ndër zgjidhjet e propozuara, autori përmend modele që synojnë taksimin direkt të pasurisë ose reformimin e mënyrës se si tatohen fitimet nga kapitali dhe trashëgimitë. Ai sjell si shembull edhe propozimin e senatorit Bernie Sanders për një taksë vjetore 5% mbi pasurinë e miliarderëve, e cila, sipas tij, mund të gjenerojë më shumë se 4 trilionë dollarë në dhjetë vjet.

Sipas Madowitz, këto fonde mund të përdoren për investime publike, zgjerim të shërbimeve shëndetësore, kujdesin për fëmijët dhe mbështetje ekonomike për familjet me të ardhura të mesme dhe të ulëta.

Autori kundërshton argumentin tradicional se ulja e taksave për të pasurit sjell automatikisht përfitime për të gjithë shoqërinë, duke deklaruar se kërkimet ekonomike të viteve të fundit nuk kanë gjetur prova të forta për efektet e pritshme të teorisë së “rrjedhjes së pasurisë nga lart-poshtë”. Në përfundim, Madowitz argumenton se një reformë e sistemit të taksave nuk është një masë radikale, por një korrigjim i nevojshëm për të kufizuar përqendrimin e tepërt të pasurisë dhe ndikimit politik. Sipas tij, sfida kryesore nuk është mungesa e ideve për një sistem më të drejtë, por vullneti politik për ta zbatuar atë përpara se fuqia ekonomike e një pakice të vazhdojë të ndikojë në funksionimin e demokracisë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close