LajmeMaqedoniTopLajm

VMRO-DPMNE: Problemi me ujin në Gostivar është pasojë e neglizhencës shumëvjeçare të LSDM-së, BDI-së dhe Taravarit

VMRO-DPMNE: Problemi me ujin në Gostivar është pasojë e neglizhencës shumëvjeçare të LSDM-së, BDI-së dhe Taravarit

VMRO-DPMNE ka reaguar ndaj akuzave të opozitës lidhur me cilësinë e ujit të pijshëm në Gostivar, duke pretenduar se problemi nuk është i ri, por pasojë e neglizhencës shumëvjeçare të LSDM-së, BDI-së dhe pushtetit lokal të udhëhequr nga Arben Taravari.

Nga partia thonë se kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, po përpiqet të japë leksione për shëndetësinë dhe shëndetin publik, ndonëse, sipas tyre, problemet me ujin në Gostivar janë evidentuar edhe gjatë periudhës kur ai ishte ministër i Shëndetësisë.

VMRO-DPMNE pretendon se dokumentet tregojnë se më 11 nëntor 2020, një analizë mikrobiologjike kishte konstatuar numër të shtuar të baktereve koliforme dhe kishte rekomanduar që uji të mos përdorej për pije.

Sipas komunikatës, edhe më 15 shkurt dhe 1 mars 2021 ishte konstatuar se uji nuk i përmbushte kriteret e përcaktuara me rregulloret për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.

Nga partia shtojnë se problemet kanë vazhduar edhe gjatë viteve 2022 dhe 2023. Më 11 korrik 2022, uji i furnizuar nga Ndërmarrja Publike “Komunalec” në Gostivar, sipas tyre, nuk ishte i përshtatshëm për përdorim për shkak të numrit të shtuar të baktereve aerobe mezofile.

Parregullsi të tjera, sipas VMRO-DPMNE-së, ishin konstatuar edhe më 29 qershor 2023 për shkak të pranisë së kolonive bakteriale, si dhe më 4 gusht 2023, kur përsëri ishte evidentuar numër i shtuar i baktereve aerobe mezofile.

“Në asnjërin prej këtyre rasteve nuk është vepruar. Autoritetet qendrore dhe lokale të udhëhequra nga Filipçe, LSDM-ja, BDI-ja dhe Taravari kanë qenë në dijeni, por nuk kanë ndërmarrë masa, ndërsa qytetarët kanë vazhduar të përdorin ujë të pasigurt”, thuhet në komunikatë.

VMRO-DPMNE kërkon përgjigje se përse LSDM-ja dhe Venko Filipçe nuk kanë reaguar në atë periudhë dhe përse institucionet që drejtonin nuk kanë vepruar pas analizave që tregonin parregullsi në cilësinë e ujit.

Sipas partisë, qytetarët e Gostivarit nuk meritojnë përplasje dhe akuza politike, por përgjigje konkrete dhe përgjegjësi institucionale.

“Shëndeti i qytetarëve është mbi të gjitha dhe duhet të ketë përgjegjësi, sepse qytetarët mbajnë mend, ndërsa dokumentet mbeten dëshmi e përhershme”, përfundon komunikata e VMRO-DPMNE-së.

Related Articles

Back to top button
Close
Close