
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar qytetarët me rastin e 2 Gushtit – Ditës së Republikës, duke theksuar se kjo datë simbolizon vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti dhe përgjegjësinë e përbashkët për forcimin e tij.
Në mesazhin e tij, Gashi tha se 2 Gushti përkujton dy ngjarje kyçe të historisë së vendit – Kryengritjen e Ilindenit të vitit 1903 dhe Mbledhjen e Parë të KAÇKM-së në Prohor Pçinski në vitin 1944, të cilat, sipas tij, përfaqësojnë aspiratën për një shtet të bazuar në liri, demokraci dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Ai theksoi se rëndësia e kësaj dite nuk qëndron vetëm në trashëgiminë historike, por edhe në mënyrën se si qytetarët dhe institucionet i zbatojnë çdo ditë idealet mbi të cilat është ndërtuar Republika.
Gashi bëri thirrje për ripërtëritjen e angazhimit të përbashkët në forcimin e institucioneve, promovimin e integritetit, përgjegjësisë publike, drejtësisë dhe bashkëjetesës.
“Jam i bindur se, duke ruajtur frymën e bashkëjetesës, duke promovuar dialogun, respektin dhe përgjegjësinë institucionale, do të vazhdojmë të ecim përpara drejt një shteti më të zhvilluar, më demokratik dhe më prosperues, të vendosur në rrugën e pakthyeshme të integrimit evropian. Kjo është mënyra më e denjë për ta nderuar Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në mesazhin e kryeparlamentarit.



