LajmeSport

Misioni i radhës i çiklistit që po sfidon historinë

Fitorja e pestë e Tadej Pogaçarit në Turin e Francës e ka vendosur sllovenin mes legjendave më të mëdha të çiklizmit botëror. Vetëm 27 vjeç, ai ka barazuar rekordin e pesë fitoreve në Tur, duke iu bashkuar emrave të mëdhenj si Jacques Anquetil, Eddy Merckx, Bernard Hinault dhe Miguel Indurain, ndërsa është më i riu që arrin këtë sukses.

Çiklisti i skuadrës së Emirateve të Bashkuara Arabe fitoi edicionet 2020, 2021, 2024, 2025 dhe 2026, duke treguar një dominim të jashtëzakonshëm në garat shumëditore. Ai e vendosi praktikisht fatin e garës që në etapën e gjashtë, në Tur-malet, dhe e mbylli kompeticionin me pesë fitore etapash dhe 6 minuta e 26 sekonda avantazh ndaj Remco Evenepoel.

Mungesa e Jonas Vingegaard në javën e fundit, pas rrëzimit dhe tërheqjes nga gara, ia lehtësoi rrugën kampionit, ndësra danezi mbetet rivali i vetëm që e ka mposhtur Pogaçarin në vitet e fundit. Sot, prania e Pogaçarit në start e bën atë favorit absolut. Ekipi i tij kontrollon ritmin e garës, ndërsa ai sulmon me qetësi dhe efikasitet, duke fituar jo vetëm renditjen e përgjithshme, por edhe etapa e gara monumentale.

Eddy Merckx e konsideron sllovenin një çiklist të jashtëzakonshëm dhe beson se askush nuk është aktualisht në gjendje ta sfidojë seriozisht. Sipas legjendës belge, sfida e radhës për Pogaçarin duhet të jetë fitimi i Xhiros së Italisë, Turit të Francës dhe Vueltës së Spanjës brenda të njëjtit sezon, një arritje që asnjë çiklist nuk e ka realizuar.

Pogaçar ka arritur të fitojë Xhiron dhe pesë Ture, ndërsa Vuelta mbetet trofeu i vetëm i madh që mungon në koleksionin e tij. Çiklisti slloven nuk e ka përjashtuar rikthimin në garën spanjolle, duke lënë të hapur mundësinë për të tentuar tripletën historike. Me 26 fitore etapash në Turin e France, Pogaçar i afrohet edhe rekordit historik të Mark Cavendish.

Ndërkohë, Merckx beson se ai mund të fitojë shtatë ose edhe tetë Ture gjatë karrierës. Në moshën 27-vjeçare, Tadej Pogaçar nuk garon më vetëm kundër rivalëve të brezit të tij, por kundër historisë së çiklizmit. Çdo sezon e afron më shumë me rekordet absolute dhe forcon bindjen se po ndërton një nga karrierat më të mëdha që ka njohur ndonjëherë ky sport.

Related Articles

Back to top button
Close
Close