BotaLajme

Të paktën 67 migrantë të vdekur në Seuta, Spanja vendos barrierë lundruese dhe kërkon mbledhje urgjente në Bruksel

Numri i emigrantëve të vdekur që po përpiqeshin të arrinin me rrugë detare në bregun e Seutës u ngrit në të paktën 67 persona, pasi ekipet e zhytësve, pjesëtarët e Gardës Civile dhe shërbimi spanjoll i shpëtimit në det nxorrën trupa të reja. Me 30 viktimat e regjistruara më parë që nga fillimi i vitit, numri total i personave të vdekur që në shtatë muajt e fundit kanë tentuar të hyjnë në këtë eksklavë spanjolle duke notuar arriti të paktën 97.

Ndërkohë, situata në eksklavën në Afrikën Veriore natën e kaluar ishte e tensionuar. Një emigrant maroken u godit me thikë nga një bashkëkombës i tij gjatë një sherri pranë shkollës Andrés Manjón. Sulmuesi iku para se të mbërrinte policia, ndërsa i plagosuri u dërgua në spital, transmeton Pa Censurë.

Në të njëjtën kohë, disa dhjetëra emigrantë që ishin kampuar para Qendrës së Përkohshme të Qëndrimit të Emigrantëve (CETI), e cila ishte e mbushur plot, u përpoqën të hynin me dhunë në objekt, duke rrëzuar një pjesë të gardhit mbrojtës. Policia Kombëtare intervenoi me prani të fortë, duke formuar një kordon sigurie rreth qendrës, me çka situata u vu nën kontroll.

Burimet policore thonë se mbi 500 njerëz presin pranim para qendrës, ndërsa për arsye humanitare hyrja u është lejuar vetëm grave dhe fëmijëve. Burime nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se nata ka kaluar e qetë, fluksi i emigrantëve është ndalur plotësisht dhe kthimet drejt Marokut kanë vazhduar pa incidente të mëdha. Nga rreth 50.000 njerëz që për pak më shumë se 24 orë hynë në eksklavën spanjolle, pothuajse të gjithë tashmë janë kthyer në territorin maroken.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dërgoi një letër institucioneve evropiane në të cilën shprehu shqetësim serioz për reagimin e disa qeverive evropiane në lidhje me krizën e emigrantëve në Seuta, përcjell Pa Censurë. Në letër, Sanchez kërkoi një takim urgjent të ministrave të punëve të brendshme të vendeve anëtare për të përcaktuar një përgjigje të përbashkët dhe për të konfirmuar se siguria e kufijve të jashtëm është përgjegjësi e përbashkët e gjithë Bashkimit.

Që nga mëngjesi ka filluar edhe vendosja e barrierave mbrojtëse notuese pranë portit Tarajal në Seuta, me qëllim që të pengohet hyrja e emigrantëve me rrugë detare. Elementi kryesor i sistemit të ri mbrojtës është një barrierë pneumatike me gjatësi 500 metra, e cila ngrihet deri në 70 centimetra mbi ujë dhe është e zhytur në thellësi prej një metri, ndërsa objekti është plotësuar edhe me një linjë boje të ankoruara të siguruara nga marina spanjolle.

Related Articles

Back to top button
Close
Close