
Senati i Shteteve të Bashkuara, ka miratuar rezolutën procedurale që i hap rrugën shqyrtimit dhe votimit në grup të 74 emërimeve të administratës së Presidentit Donald Trump, ku përfshihet edhe kandidatura e Eric Wendt për postin e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë i Senatit amerikan, rezoluta lejon që një paketë e gjerë emërimesh të kalojë përmes një procedure të përshpejtuar, duke shmangur proceset individuale të votimit për secilën kandidaturë.
Ky është grupi i pestë i emërimeve civile që shqyrtohet pas reformës së rregullave të Senatit të ndërmarrë nga republikanët, me synim përshpejtimin e konfirmimit të zyrtarëve të administratës së re amerikane.
Në paketën prej 74 kandidaturash përfshihen emërime në poste të rëndësishme të administratës federale amerikane, mes tyre 17 ambasadorë, katër prokurorë federalë, katër marshallë federalë, zëvendëssekretarë dhe ndihmëssekretarë në departamente të ndryshme, si dhe drejtues të institucioneve kryesore si Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA) dhe Administrata e Sigurisë së Transportit (TSA).
Kandidatura e Eric Wendt për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Tiranë është pjesë e kësaj liste dhe pritet të kalojë në votimin përfundimtar të Senatit.



