LajmeMaqedoni

Mickoski rehaton pensionistët e ardhëshëm me përgjigjen për shtyllën e dytë

Qeveria nuk ka paralajmëruar shfuqizimin e shtyllës së dytë pensionale – është i prerë kryeministri Hristijan Mickoski, pasi në opinion u hap debat për transferimin e mundshëm të mjeteve nga fondet private pensionale në Fondin shtetëror Pensional.

Debati filloi pas deklaratës së Mickoskit, i cili paralajmëroi reformë pensionale dhe tha se shfrytëzuesit e shtyllës së dytë mund të jenë të befasuar në mënyrë të pakëndshme dhe të zhgënjyer nga shumat në llogaritë e tyre. Më pas reagoi edhe guvernatori Trajko Sllaveski, i cili doli me një përllogaritje se mes 80% dhe 90% e pensionistëve të ardhshëm që do të dalin në pension gjatë periudhës 2030–2032 nuk do të mund të sigurojnë as pensionin minimal.

-Kush ka paralajmëruar se do të ketë shfuqizim të shtyllës së dytë, nuk e kuptoj, u shpreh Mickoski.

-Nuk e di, ja, në opinion po zhvillohet debat…
-Unë mund të flas në emër të Qeverisë. Një paralajmërim i tillë nga ana e Qeverisë nuk ekziston, tha Mickoski.

Dje, nga Asociacioni i Shoqërive për Menaxhimin e Fondeve Pensionale ishin të prerë se ideja për nacionalizimin e shtyllës së dytë pensionale nuk është zgjidhje, sepse paratë që do të transferoheshin në fondin shtetëror pensional do të shpenzoheshin brenda 1 vit e gjysmë deri në 3 vjet.
Ata theksuan se paratë nga shtylla e dytë pensionale janë pronë personale e të siguruarve dhe janë të trashëgueshme. Gjithashtu thanë se kërkojnë zgjidhje ligjore për të ashtuquajturat multifonde, të cilat do të siguronin edhe pensione më të larta.

“Ajo që është e rëndësishme është që të siguruarit duhet ta dinë se mjetet në shtyllën e dytë janë pronë personale, e cila është e trashëgueshme dhe, pavarësisht nëse bëhet fjalë për sigurim gjatë jetës së punës apo pas pensionimit, ato kanë një shkallë më të lartë mbrojtjeje. Përveç pensionit familjar, i cili mbetet si e drejtë, ekziston edhe e drejta e trashëgimisë”, pohoi Marijan Nikollovski, kryetar i Asociacionit të shoqërive për menaxhimin e fondeve pensionale.

Ndërkohë, Fondi shtetëror pensional sot publikoi një raport i cili tregon se brenda gjashtë muajve numri i shfrytëzuesve të pensioneve është rritur për 1.876 persona. Fondi ka realizuar të hyra prej 77.2 milionë denarësh, ndërsa shpenzimet totale kanë qenë rreth 71.9 milionë denarë. Ndryshe, hendeku në Fondin shtetëror pensional po rritet nga viti në vit, ndërsa një pjesë e madhe e mjeteve për pagesën e pensioneve edhe këtë vit do të mbulohen nga Buxheti i shtetit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close