
Tetova do të jetë qendra e boksit ndërkombëtar më 2 gusht 2026, kur në kuadër të manifestimit “Tetova n’Festë 2026” do të zhvillohet Turneu Ndërkombëtar i Boksit, me pjesëmarrjen e boksierëve nga gjashtë shtete të rajonit, shkruan Top24
“Turneu organizohet nga Klubi i Boksit Shkëndija Boks – Tetovë, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës, Federatën e Boksit të Maqedonisë dhe Alpha Gym Kickbox, duke sjellë në ring sportistë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia” tha Jusuf Hashimi trajner i KB.Shkëndija.
Ndeshjet do të zhvillohen në Sheshin “Iliria” në Tetovë, duke filluar nga ora 18:00, ku publiku do të ketë mundësinë të ndjekë duele atraktive mes boksierëve të rinj dhe talentëve më premtues të rajonit.
Organizatorët kanë bërë të ditur se ky turne synon të promovojë sportin e boksit, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe miqësinë mes sportistëve, duke e shndërruar Tetovën në një qendër të rëndësishme sportive gjatë ditëve të manifestimit “Tetova n’Festë”.
Pritet që eventi të tërheqë një numër të madh sportdashësish, të cilët do të kenë mundësi të shijojnë një mbrëmje me duele cilësore dhe atmosferë sportive në zemër të qytetit.Top24




