LajmeRajon

VV dorëzoi kallëzim penal për të, Rama: Lajm i mirë, udhëzojeni edhe Kryeministrin t’i përgjigjet Prokurorisë

Lëvizja Vetëvendosje dje ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si dhe zyrtarëve të lartë të kabinetit të tij, me pretendimin se janë përfshirë në legalizime të jashtëligjshme të objekteve.

Ndaj kësaj ka reaguar sot Rama, i cili tha se dyert e Kryeqytetit janë të hapura për organet e drejtësisë dhe tha se do të bashkëpunojnë.

Por, Rama pati edhe një porosit për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kreun e saj.

“Mirëmëngjesi. E para, po m’vjen mirë që më në fund po i drejtoheni Prokurorisë. Është lajm i mirë. Tash udhëzojeni edhe Kryeministrin t’i përgjigjet Prokurorisë, sepse ka më shumë se dy vjet që nuk i përgjigjet ftesës për intervistim”, ka shkruar Rama.

Rama shtoi se “si gjthmonë” garanton për bashkëpunim.

“E dyta, dyert e Kryeqytetit kanë qenë dhe mbeten të hapura për organet e drejtësisë. Garantojmë bashkëpunim të plotë, transparent dhe institucional për çdo kërkesë të Prokurorisë, si gjithmonë, padiskutim”.

Pas vendimit të Prokurorisë, Rama tha se “do t’i ndërmarrim pa asnjë hezitim të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj KUJDO që rezulton se ka shkelur ligjin!”.

Dje asamblistja e VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Berita Abazi, e cila është edhe shefe e stafit të kabinetit të u.d. presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë para medieve se kallëzimi është bazuar në një sinjalizim anonim që, sipas saj, e kanë pranuar mbrëmë përmes e-mailit te një grup i asamblistëve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close