
Në një intervistë për emisionin “Rishtazi” në KohaCast, Ahmeti tha se sot – vendi po rikthehet në pozicionet e para vitit 2001, duke vlerësuar se Marrëveshja e Ohrit ka nisur të zhbëhet,
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka deklaruar se gjatë konfliktit të vitit 2001, i ishte ofruar një plan për ndarjen e Maqedonisë së atëhershme, por se ai e kishte refuzuar, duke zgjedhur Marrëveshjen e Ohrit si zgjidhjen e vetme për një shtet multietnik dhe për barazinë e shqiptarëve. Në një intervistë për emisionin “Rishtazi” në KohaCast, Ahmeti tha se sot vendi po rikthehet në pozicionet e para vitit 2001, duke vlerësuar se Marrëveshja e Ohrit ka nisur të zhbëhet. “Tani përsëri ngelemi në pozicionet që i kemi pasur. Në vitin 2001 kryengritja nuk ishte zgjedhje e shqiptarëve, por ishte e imponuar. Shqiptarët u ngritën sepse u ndryshua Kushtetuta, u hoq statusi i tyre si element konstitutiv, u imponua gjuha maqedonase, kërkonin shkolla, universitet dhe të drejtat elementare”, deklaroi Ahmeti.
Ai zbuloi se gjatë zhvillimit të konfliktit kishte marrë një dokument me hartë dhe kufij të propozuar për ndarjen territoriale të shtetit. “Dokumentin ma solli Arben Xhaferi. Ishte një projekt me hartë dhe kufij, ku parashihej ndarja e Maqedonisë. Për mua ai dokument ishte i papranueshëm dhe e kam kthyer mbrapsht”, u shpreh Ahmeti. Sipas tij, filozofia e këtij propozimi mbështetej në idenë se shtetet multietnike janë jofunksionale dhe se zgjidhja ishte krijimi i shteteve kombëtare. “Nëse do ta pranonim atë projekt, rreth 260 mijë shqiptarë do të mbeteshin jashtë territorit të paraparë për shqiptarët. Për ne, Marrëveshja e Ohrit ishte zgjidhja më e mirë, sepse garantonte barazi të plotë dhe shtetformësi për shqiptarët. Ne zgjodhëm rrugën më të vështirë – Marrëveshjen e Ohrit, jo ndarjen”, tha lideri i BDI-së.
Ahmeti pretendoi se propozimi nuk kishte ardhur nga ndonjë organizatë jozyrtare, por nga institucionet e atëhershme shtetërore. “Propozimi nuk ishte nga një shoqatë. Ishte nga Qeveria e atëhershme, me mbështetje edhe të kryetarit të Kuvendit. Më vonë ai e mohoi dhe tha se Ali Ahmeti gënjen, por dokumentet dhe incizimet ekzistojnë”, deklaroi ai.
Duke folur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Ahmeti vlerësoi se partitë shqiptare kanë qenë bartëset kryesore të avancimit të saj, ndërsa kritikoi partitë maqedonase për mungesë angazhimi në promovimin e frymës së marrëveshjes. “Partitë shqiptare kanë punuar shumë më tepër për promovimin e Marrëveshjes së Ohrit. U kam thënë edhe partive maqedonase se nuk kanë bërë sa duhet për t’ua shpjeguar qytetarëve maqedonas rëndësinë e saj. Ekziston bindja se me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit maqedonasit e humbasin shtetin, por kjo nuk është e vërtetë. Me Marrëveshjen e Ohrit kanë fituar edhe shqiptarët, edhe maqedonasit”, theksoi Ahmeti. Ai shtoi se sfidat më të mëdha në zbatimin e marrëveshjes kanë qenë gjatë miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, proces që, sipas tij, u përmbyll vetëm në vitet 2016-2017. Sipas Ahmetit, Marrëveshja e Ohrit mbetet kompromisi historik që ruajti karakterin multietnik të shtetit dhe shmangu skenarin e ndarjes territoriale të Maqedonisë.



