
Një muaj pas formimit të Task Forcës për luftimin e tregtisë së palejuar të drogës, Ministria e Punëve të Brendshme thotë se ka shënuar rezultate të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar të narkotikëve.
Koordinimi i shtuar, shkëmbimi më i shpejtë i informacioneve dhe veprimi i përbashkët i njësive organizative kanë mundësuar zbulimin dhe goditjen më efikase të strukturave kriminale që merren me tregtinë e palejuar të drogës, thuhet në njoftimin e MPB-së drejtuar mediave.
“Gjatë muajit të kaluar janë realizuar disa aksione të koordinuara në të gjithë vendin, të orientuara në zbulimin e rrjeteve të shpërndarësve të drogës, ndërprerjen e kanaleve të furnizimit dhe parandalimin e shpërndarjes së mëtejshme të lëndëve narkotike. Ndër aksionet më të rëndësishme është ndërprerja e transportit ndërkombëtar me rreth 25 kilogramë marihuanë në Pikën Kufitare ‘Deve Bair’. Si rezultat i masave dhe aktiviteteve të ndërmarra, janë sekuestruar 43,3 kilogramë marihuanë, 693,37 gramë kokainë, 141,42 gramë hashash, 691,34 gramë amfetaminë, 50 gramë kërpudha halucinogjene, 541 tableta ekstazi, 69 tableta LSD, 14 tableta MDMA, si dhe 116 paketime me lëndë bimore, pluhurore dhe kokërrzore, për të cilat bëhen ekspertiza përkatëse”.
Gjatë po kësaj periudhe, vijon më tej njoftimi, janë ngritur 21 kallëzime penale ndaj 29 personave, janë relizuar 131 bastisje në banesa dhe ambiente të tjera, janë realizuar 935 kontrolle të automjeteve dhe 1.078 kontrolle të personave, ndërsa 241 persona janë shoqëruar ose privuar nga liria mbi baza të ndryshme që lidhen me tregtinë e palejuar të drogës.
“Veçanërisht janë të rëndësishme rezultatet e arritura në rajonin e SPB Shkup, ku gjatë kontrolleve, përveç lëndëve narkotike, janë gjetur dhe sekuestruar 2.900 euro, 100 franga zvicerane, 58.000 denarë në vlera të ndryshme, dy pistoleta dhe gjashtë peshore digjitale. Këto sende tregojnë për veprimtari të organizuar kriminale dhe paraqesin prova të rëndësishme materiale në procedurat e mëtejshme penale”.
Në kuadër të aktiviteteve të Task Forcës është realizuar me sukses edhe kërkimi i një personi 41-vjeçar nga Koçani, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhërarrest ndërkombëtar. Personi kishte arritur të arratisej më parë nga një stacion policor, ku ishte privuar nga liria për shkak të dyshimeve të bazuara për tregti të palejuar të drogës, ndërsa gjetja dhe privimi i tij i sërishëm nga liria paraqet një dëshmi tjetër të veprimit efikas të shërbimeve policore dhe zbatimit të denjë të përgjegjësisë ligjore.
“Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar në luftën pa kompromis kundër tregtisë së palejuar të drogës. Në periudhën e ardhshme, aktivitetet e Task Forcës do të vazhdojnë me intensitet edhe më të madh, përmes kontrolleve të shtuara, aksioneve të koordinuara, hetimeve financiare dhe bashkëpunimit ndërkombëtar policor”



