LajmeMaqedoniTopLajm

Zekolli: Faktet janë më të forta se gënjeshtrat e Bujar Osmanit, Hekurudha me Bullgarinë do të bëhet realitet!

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, ka reaguar ndaj deklaratave të nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, duke theksuar se projekti për ndërtimin e hekurudhës me Bullgarinë në kuadër të Korridorit VIII po ecën përpara dhe se, sipas saj, “faktet janë më të forta se gënjeshtrat”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zekolli njoftoi se në Sofje ka bashkëkryesuar takimin e parë të grupit të përbashkët të punës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, i dedikuar për përgatitjen dhe realizimin e ndërtimit të tunelit hekurudhor ndërkufitar në Korridorin VIII.

Sipas saj, në takim, së bashku me zëvendësministren bullgare të Transportit, Cveta Timeva, dhe përfaqësuesit e institucioneve të të dy vendeve, është arritur pajtueshmëri për dinamikën e aktiviteteve, detyrimet konkrete të institucioneve përgjegjëse dhe hapat e ardhshëm për koordinimin teknik dhe sigurimin e mbështetjes financiare për projektin.

Zekolli bëri të ditur se është në përgatitje edhe një letër e përbashkët drejtuar Bashkimit Evropian, Bankës Evropiane të Investimeve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me qëllim sigurimin e financimit për realizimin e projektit.

Ajo theksoi se për fazën e tretë të Korridorit VIII tashmë janë siguruar 149 milionë euro grant, duke shtuar se ky projekt kishte mbetur për vite me radhë në vendnumëro gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe BDI-së.

“Hekurudha me Bullgarinë do të lidhë dy shtetet me rrjet hekurudhor modern, do të përshpejtojë transportin e mallrave dhe udhëtarëve, si dhe do të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe lidhshmërinë rajonale”, theksoi Zekolli.

Në reagimin e saj, ajo iu referua edhe kritikave të Osmanit, duke deklaruar se qeveria aktuale në vitin 2024 trashëgoi një procedurë tenderimi të konceptuar në mënyrë të papranueshme nga qeveria e mëparshme LSDM-BDI, pjesë e së ciles ishte Bujar Osmani.

Sipas Zekollit, projekti i trashëguar parashihte një tunel që nuk siguronte lidhje të plotë hekurudhore, ndërsa afatet për shfrytëzimin e fondeve IPA ishin pothuajse të parealizueshme.

“Në vend që të vazhdonim me një zgjidhje gjysmake, vendosëm ta anulojmë atë procedurë dhe të nisim negociata serioze me Bashkimin Evropian dhe Bullgarinë. Rezultati është i qartë: kemi arritur dakordim për ndërtimin e një tuneli të plotë, i cili do të financohet përmes grantit të BE-së”, përfundoi Zekolli.

Related Articles

Back to top button
Close
Close