
Veprimtari Bruno Ceka sot ka takuar sërish liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin me të cilin zhvilloi një bisedë të hapur mbi zhvillimet politike në vend, me theks të veçantë te stagnimi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, cënimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe dhe nevoja për garantimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore, shkruan Top24
Takimi i Cekës me Ahmetin vjen një ditë pas takimit të tij me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickovski takime këto që kanë ngjallur polemika se çfarë po fshihet pas këtyre takimeve. Lajmin për takimin me Bruno Cekën e bëri të ditur vet lideri i BDI-së, Ali Ahmeti përmes një postimi.
Sot pata kënaqësinë e veçantë të takoj mikun Bruno Ceka, Përfaqësues i Organizatës Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut.
Zhvilluam një bisedë të hapur mbi zhvillimet politike në vend, me theks të veçantë te stagnimi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, cenimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe dhe nevoja për garantimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Diskutuam gjithashtu për domosdoshmërinë e përshpejtimit të procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si orientimi ynë i vetëm strategjik, si dhe për rëndësinë e forcimit të partneritetit të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në takim u trajtua edhe nevoja për zgjidhjen sa më të shpejtë të ngërçit që lidhet me dhënien e provimit të jurisprudencës, një çështje që prek drejtpërdrejt shumë të rinj profesionistë dhe kërkon zbatim të kuadrit ligjor ekzistues nga ana e institucioneve.
Ishte një takim i dobishëm, në frymën e bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe të ardhmen evropiane të vendit.




