
Kampionati Botëror i Formulës 1 ka hyrë në periudhën e pushimit pas zhvillimit të Çmimit të Madh të Hungarisë.
Megjithatë, ky interval veror ka ardhur pa u dhënë përgjigje disa prej pyetjeve më të mëdha që prej kohësh kanë dominuar titujt e mediave.
Një nga çështjet më të diskutuara është e ardhmja e Maks Vershtapenit.
Piloti holandez i Red Bullit ka një kontratë që zgjat deri në fund të vitit 2028, por gjatë muajve të fundit janë ngritur spekulime për disa alternativa jashtë vazhdimit të bashkëpunimit me skuadrën aktuale.
Piloti 28- vjeçar, i cili aktualisht ndodhet në vendin e gjashtë në renditjen e kampionatit, me 109 pikë, nuk ka qenë këtë sezon një pretendent i rregullt për podiume. Madje, ai ende nuk ka arritur asnjë fitore. Një situatë e tillë është padyshim e pazakontë për një kampion të këtij niveli. Vershtapen ka siguruar katër vende në podium gjatë këtij sezoni (Kanada, Austri, Belgjikë dhe Hungari), por ai nuk ndihet plotësisht komod me makinat e reja të Formula 1.
Kjo ka bërë që të lindin edhe zëra për mundësinë e një viti pushim nga garat. Në të njëjtën kohë, mungesa e një makine konkurruese e ka bërë pothuajse të pamundur luftën për një tjetër titull kampion, duke lidhur emrin e tij me skuadra si Mercedes, Aston Martin dhe MekLaren.
Përtej klauzolës së largimit që piloti me numrin 3 e ka në kontratën me Red Bullin, e cila mund të aktivizohet nëse ai nuk renditet në vendin e parë ose të dytë në kampionat, Vershtapen i ka shmangur me kujdes pyetjet rreth së ardhmes së tij. Në këtë situatë, gazeta gjermane “Bild” raporton se Red Bulli dëshiron të zgjasë kontratën e kampionit holandez.
Skuadra synon një zgjatje edhe për një vit tjetër, pa përfshirë klauzolën e largimit që ishte diskutuar më parë.
Për ta bindur fituesin e 71 Çmimeve të Mëdha, Red Bulli thuhet se i ka ofruar një rritje të pagës së tij shumë të lartë. Aktualisht, ajo vlerësohet të jetë rreth 65 milionë euro në vit.
Megjithatë, problemi kryesor mbetet ai sportiv. Red Bulli, pas një periudhe të trazuar ku ka humbur disa nga figurat më të rëndësishme teknike të saj, nuk disponon më një makinë super konkurruese. Kjo përbën një pengesë të madhe në përpjekjen për të mbajtur pilotin më të kërkuar të garës.
Vershtapen preferon të presë përpara se të marrë një vendim përfundimtar dhe të zgjidhë dilemën e madhe që lidhet me të ardhmen e tij. Të gjithë presin të shohin se çfarë do të ndodhë më në fund me rrugëtimin e kampionit holandez në Formula 1.



