
E ardhmja e Franco Mastantuonos duket gjithnjë e më larg Real Madridit, të paktën për sezonin e ardhshëm. Talenti argjentinas pritet të largohet në formë huazimi, pa të drejtë blerjeje, me synimin që të fitojë më shumë minuta dhe të vijojë zhvillimin në një nga kampionatet kryesore të Europës.
Sipas mediave spanjolle, 18-vjeçari nuk ka arritur ende të sigurojë një vend të qëndrueshëm në skuadrën madrilene, pavarësisht paraqitjeve pozitive në ndeshjet miqësore të kësaj vere, ku ka lënë përshtypje të mira ndaj Leganés dhe Alcorcón.
Vendimi për huazimin u mor pas një takimi që lojtari zhvilloi në mesin e muajit me trajnerin José Mourinho. Palët arritën në përfundimin se një sezon larg “Santiago Bernabéut” do t’i shërbente më shumë zhvillimit të tij, duke pasur parasysh konkurrencën e madhe në ekip dhe afrimet e fundit në merkato, veçanërisht atë të Diomandé.
Fillimisht, Mastantuono shpresonte të fitonte më shumë hapësira në skuadër, por situata ndryshoi pas merkatos së verës. Që prej asaj kohe, mbi dhjetë klube kanë shprehur interes për ta marrë në huazim, ndërsa Real Madridi po shqyrton me kujdes çdo ofertë, duke i dhënë përparësi projektit sportiv dhe rolit që lojtari do të ketë në ekipin e ri.
Një gjë është e sigurt: rikthimi te River Plate nuk është në planet e futbollistit dhe as të drejtuesve të Real Madridit. Klubi argjentinas tentoi ta rikthente si në muajin qershor, ashtu edhe ditët e fundit, por kjo mundësi u hodh poshtë, pasi objektivi është që Mastantuono të vazhdojë rritjen e tij në futbollin europian.
Pista më konkrete për momentin duket Italia. Como, i drejtuar nga Cesc Fàbregas, e kishte në listën e dëshirave, por kjo alternativë është ftohur pas afrimit të një futbollisti tjetër argjentinas. Interes kanë shfaqur edhe Fiorentina, Roma – në rast se largohet Matías Soulé – si dhe Milani, që po monitoron situatën.
Nga Anglia, Fulham ishte klubi i parë që kërkoi informacion për Mastantuonon, por më pas u tërhoq për t’u përqendruar te objektiva të tjerë të merkatos.
As lojtari dhe as Real Madridi nuk dëshirojnë që vendimi të zvarritet. Sipas raportimeve nga Spanja, përgjigjja përfundimtare për destinacionin e ri të talentit argjentinas pritet të merret brenda kësaj jave.



