
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se nuk do të heqë dorë nga udhëtimi i planifikuar në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, pavarësisht thirrjeve për arrestimin e tij bazuar në urdhër-arrestin e lëshuar nga International Criminal Court.
Në një intervistë për Fox News, pas takimit me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Netanyahu zbuloi se ka “forca speciale rreth vetes” në rast se përballet me një tentativë arrestimi gjatë vizitave jashtë Izraelit.
“Kemi forca speciale rreth nesh. Kam shërbyer me ta për pesë vite”, tha ai, pa dhënë detaje mbi rolin që do të kishin këto njësi.
Deklaratat e Netanyahu vijnë pas komenteve të kryebashkiakut të New York, Zohran Mamdani, i cili javën e kaluar tha se kryeministri izraelit nuk do të ishte i mirëpritur në qytet dhe kërkoi zbatimin e urdhër-arrestit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare nëse ai viziton SHBA-të. Më pas, Mamdani pranoi se autoritetet e qytetit nuk kanë kompetencë ligjore për ta arrestuar dhe u bëri thirrje autoriteteve federale të ndërhyjnë.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi duke deklaruar se Netanyahu “nuk do të arrestohet në asnjë rrethanë” gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara.
Gjatë intervistës, Netanyahu sulmoi ashpër Mamdanin, duke e akuzuar se po nxit urrejtje ndaj hebrenjve dhe po përpiqet të përçajë banorët e Nju Jorkut. Ai hodhi poshtë edhe urdhër-arrestin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke e cilësuar atë një “organizatë të korruptuar” dhe duke këmbëngulur se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht.
Kryeministri izraelit komentoi edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke u shprehur skeptik ndaj çdo marrëveshjeje të mundshme mes SHBA-ve dhe Iranit për programin bërthamor. Ai paralajmëroi se Izraeli do të përgjigjet “me forcë të jashtëzakonshme” nëse sulmohet nga Irani dhe theksoi se Teherani nuk duhet të lejohet të pajiset me armë bërthamore.
Netanyahu shtoi se armëpushimi në Liban mund të krijojë kushte për një marrëveshje të re paqeje me një shtet arab dhe përsëriti se Izraeli dëshiron zgjerimin e Marrëveshjeve të Abrahamit, duke përfshirë edhe Arabinë Saudite.



