LajmeRajon

Gërvalla largoi diplomatin nga Kroacia pa dhënë fare arsyetim, vendimi i rrëzohet si i paligjshëm

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK) ka aprovuar ankesën e një zyrtari të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe ka anuluar vendimin e kësaj ministrie për tërheqjen e tij nga misioni diplomatik.

Vendimi i KPMShCK-së lidhet me një akt të nxjerrë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Donika Gërvalla-Schwarz.

Sipas vendimit të publikuar nga KPMShCK, ankuesi kishte kërkuar anulimin e vendimit të MPJD-së, duke pretenduar se ai ishte marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe pa u respektuar procedurat e parapara, raporton EkonomiaOnline, transmeton Periskopi.

Nga provat e administruara rezulton se ankuesi, me aktemërim të 1 gushtit 2024, mbante pozitën e Zyrtarit të Lartë për Emigracion në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Më pas, me vendim të ministres të datës 25 shkurt 2025, ai ishte caktuar të shërbente në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb të Kroacisë me mandat katërvjeçar, ndërsa detyrën e kishte marrë më 1 maj 2025.

Megjithatë, më 22 janar 2026, MPJD kishte nxjerrë vendim për tërheqjen e tij nga misioni diplomatik, duke e caktuar që të paraqitej në ministri më 3 shkurt 2026.

Në ankesën e tij, zyrtari kishte argumentuar se vendimi ishte nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme, pa respektuar Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, duke theksuar se në asnjërën prej këtyre dispozitave nuk parashihet se ministri mund të tërheqë një zyrtar nga misioni diplomatik sipas diskrecionit të tij.

Pas shqyrtimit të provave, KPMShCK ka konstatuar se ankesa është e bazuar, pasi çështja nuk ishte shqyrtuar në mënyrë të plotë procedurale. Për këtë arsye, Këshilli ka aprovuar ankesën, ka anuluar vendimin e MPJD-së dhe e ka kthyer lëndën për rishqyrtim dhe rivendosje tek organi i njëjtë.

Sipas vendimit, MPJD obligohet që brenda 15 ditësh nga pranimi i aktit ta shqyrtojë sërish rastin dhe të nxjerrë një vendim të ri, duke marrë parasysh arsyetimin dhe konstatimet e KPMShCK-së.

Rasti lidhet me periudhën kur Donika Gërvalla-Schwarz ishte ministre e MPJD-së, ndërsa vendimi i KPMShCK-së paraqet një ndërhyrje të këtij institucioni mbikëqyrës ndaj një vendimi administrativ të marrë nga ministria.

KPMShCK është organ i pavarur që shqyrton ankesat e nëpunësve civilë ndaj vendimeve të institucioneve publike dhe siguron mbikëqyrjen e zbatimit të rregullave të shërbimit civil në Kosovë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close