
Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka vizituar Zubin Potokun, ku po dyshohet për gjetjen e një varreze masive. Lushtaku ka falënderuar Policinë e Kosovës dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në identifikimin dhe gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës.
Lushtaku tha se gjetja e të zhdukurve ka rëndësi të madhe për familjet e tyre dhe për gjithë Kosovën, duke theksuar se për familjarët është e rëndësishme që të kenë mundësi të vendosin lule pranë varreve të të dashurve të tyre, raporton Ekonomia Online, transmeton Periskopi.
“Dua ta falenderoj policinë e Kosovës edhe gjithë ata që e kanë bërë të mundur që të gjinden edhe këta të zhdukur, sepse ka shumë rëndësi për familjet, rrethin edhe për Kosovën natyrisht. Sa është e vështirë dhe e rëndë është edhe një ditë sidomos për familjet, çlirimi sepse në fund të fundit kanë mundësi që të shkojnë të vendosin një tufë lule pranë varrezave të tyre”, tha ai.
Lushtaku ka folur edhe për arestimin e dy sebëve që dyshohen se morën pjesë në krim.
“Mendoj se këtu tani varet edhe mënyra e punës, profesionalizmi i tyre, për mua është tepër pozitive që janë gjendur një pjesë e tyre. Unë nuk pres nga Serbia që të rreh shuplaka për arrestimin e atyre që kanë bërë krime në këtë vend. Arrestime duhet me vazhdu me ndodh, ka shumë serbë që janë të lirë e krimet janë tepër të mëdha në Kosovë e sidomos në komunën tonë”, tha ai .



